Kosovë

Babai nga Prizreni ankohet në Polici, thotë se i biri i mitur e maltreton vazhdimisht

Një burrë nga Prizreni ka raportuar në Polici se maltretohet në mënyrë sistematike nga djali i tij i mitur. Ndërkohë, në një përplasje që e kanë pasur dje, ai e ka goditur me grusht xhamin e derës së hyrjes së shtëpisë dhe e ka thyer, raporton Express.

Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

Reklamo bizensin tuaj ketu

“I dyshuari i mitur pas një komunikimi të tensionuar që e ushtron ndaj prindit të tij viktimës, e godet me grusht xhamin e derës së hyrjes së shtëpisë dhe e thyen të njëjtin, vlera e të cilit sillet rreth 50 Euro. Viktima-prindi deklaron se në mënyrë sistematike maltretohet prej të dyshuarit-birit të tij”, ka thënë Osmanollaj.

Sipas tij, për këtë rast është edhe hetuesi primar i dhunës në familje.

”Në lidhje me rastin është njoftuar hetuesi primar i dhunës në familje e i cili pas intervistimit të palëve të përfshira në rast dhe komunikimit me prokurorin e shtetit i njëjti (prokurori) ka vendosur që ndaj të dyshuarit të aplikohet procedurë e rregullt hetimore”, ka deklaruar Osmanollaj.