Sport

Babai i Zeqirit e ndryshon fjalët: Andi po e pret me emocione thirrjen e Zvicrës

Një dramë e vërtetë ka ndodhur gjatë ditës së sotme rreth paraqitjes për Kosovën apo për Zvicrën të futbollistit kosovar që është lindur në Zvicër, Andi Zeqiri. Derisa drejtues të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe babai i Andit kishte thënë e stërthënë disa herë se Andi do të luajë për Kosovën, sot babai i Andit, Avdi Zeqiri ka thënë për një media zvicerane se fjalët e tij janë keqinterpretuar

Saga e paraqitjes apo mos paraqitjes se Andi Zeqirit për Kosovën apo Zvicrën po vazhdon.

Derisa ditë më parë, në një intervistë për SuperSport, babai i Andit, Avdi Zeqiri kishte thënë se Andi do të luajë për Kosovën dhe se FFK kishte thënë se ka dërguar letrat në FIFA për Andin, sot ka ndodh tërësisht e kundër.

Andi është ftuar nga Zvicra U21 për ndeshjet e radhës kurse babai i tij në një intervistë për 24Heures.ch ka thënë se fjalët e tij “janë keqinterpretuar dhe se Andi me emocione po e pret ftesën e Zvicrës.

“Fjalët e mija për atë se qëllimi i tij është që ai t’i mbrojë ngjyrat e Kosovës në të ardhmen janë përshtatur dhe janë deformuar. Ajo që është e sigurt për Andin është se ai është i vendosur që ta vazhdojë aventurën me U21 deri në fund. Pas kësaj dhe vetëm pas kësaj ai do të shikojë se cilat zgjedhje do të bëjë trajneri Petkovic. Me besoni, nëse ai e fton në Kombëtaren e Zvicrës, ai do ta pranonte dhe do të ishte plot entuziazëm dhe i lumtur për këtë”, ka thënë Avdi Zeqiri për këtë media.

Por, ndryshe ishin fjalët e Avdiut të dhëna për mediat e Kosovës, madje edhe me zë.

“Kemi ende probleme me dokumentacionin dhe për momentin nuk di të them nëse do të rregullohet gjithçka për të qenë gati për muajin tetor. Gjithsesi me rëndësi është të theksojmë se Andi ka vendosur të përfaqësojë Kosovën dhe debutimi i tij vetëm sa mund të shtyhet”, kishte thënë Avdi Zeqiri për Supersport para tri dite.

A e ka bërë Andi kërkesën për të luajtur me Kosovën?, ishte pyetja e radhës nga gazetari i Supersport.

“Ne kemi bërë të gjithë procedurat e nevojshme dhe vetë Andi ka firmosur çdo dokument që duhet për të marrë lejen të luajë me Kosovën. Tani gjithçka është në dorë të FIFA-s dhe organeve kompetente atje, të cilat duhet të mblidhen dhe të “ndezin dritën jeshile””, ka thënë Avdiu, gjalë që janë të kundërta me fjalët që ai ka thënë për mediumin zviceran.  

Se Zeqiri ishte thënë se do të luante për Kosovë e tregojnë edhe fotot e tij me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi. Madje ai ishte prezantuar edhe me fanellë të Kosovës para mediave.

Kujtojmë se Andi në moshën 17 vjeçare i ishte bashkuar Juventusit për t’u kthyer përsëri në Lousanne më 2017.

Dje ai bëri kalimin në Premier Ligë për një shumë rreth 5.6 milionë euro të skuadra e Brighton & Hove Albion. Për të kishin shprehur interesim edhe Parma.