tjera

Avokati i Salih Mustafës paralajmëron mocione kundër Gjykatës Speciale

Julius Von Boné, avokat i ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafës ka bërë një paralajmërim të madh në seancën e parë gjyqësore të Gjykatës Speciale të Hagës. Ai ka thënë se mund ta sfidojnë Gjykatën Sepciale si institucion të drejtësisë dhe mënyrën e funksionimit të saj.

Në fjalën e tij para gjyqtarit të kësaj seance, Nicolas Guillou, avokati Von Boné ka thënë se nuk e përjashtojnë mundësinë që të dorëzojnë mocione, përmes të cilave do të synojnë ta kundërshtojnë juridiksionin dhe ligjshmërinë e Gjykatës Speciale.

Siç ka theksuar ai, fakti që sot bashkë me Mustafën u paraqit në seancën e parë të këtij tribunali, nuk do të thotë se e pranojnë gjykatën si të tillë.

“Mbrojtja në këtë moment nuk e përjashton mundësinë e dorëzimt të mocioneve të cilat kundërshtojnë juridiksionin apo legalitetin, ligjshmërinë e gjykatës. Dhe fakti që jemi këtu sot nuk do të thotë që mbrojtja e pranon gjykatën si të tillë. Por këtë do ta bëjmë me kalimin e kohës përmes mocioneve tona”, ka thënë avokati Julius Von Boné.