Lajme

Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së kërkojnë incizimet e intervistave të dëshmitarëve, Prokuroria: Kërkesë e pabazuar

Avokatët e ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk i besojnë transkriptave që Zyra e Prokurorit të Specializuar ua ka bërë deklaratave të dëshmitarëve të cilët i ka intervistuar. Ata po kërkojnë që Prokuroria t’ua dorëzojë atyre incizimet audio dhe video nga intervistat.

Prokrurorja e Speciales tha se kjo kërkesë është e pabazuar, ndërsa pohoi se posedojnë incizime audio dhe vido.

Është kërkesë e cila është bërë pa bërë të ditur bazën ligjore, apo është e pabazuar”, tha prokurorja. “Ka [incizime] për pjesën më të madhe të intervistave që ka bërë Prokuroria”, pohoi ajo.

Tutje, prokurorja tha se mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi po mbështetet te një vendim që sipas ZPS-së s’është referim i duhur.

Mbrojtja e Thaçit përpiqet që të mbështetet në një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare Penale të vitit 2010. S’është referim i duhur. Është vendim i cili është kundërshtuar nga jurisprudenca e mëparshme”, tha ajo.

Ndërsa avokati David Hooper insistoi se këto materiale duhet t’u dorëzohen atyre.

“Nëse kemi incizim dëgjimor në dispozicion, ose më saktë nëse Prokuroria ka materiale të tilla, duhet t’ia ofrojë mbrojtjes”, tha Hooper.