Lajme

“Astiri”/ Policia: 26 të proceduar, u qëlluam me gurë e molotov

Policia e Tiranës ka njoftuar se 26 persona ja

Policia e Tiranës ka njoftuar se 26 persona janë proceduar penalisht pas përplasjes me forcat e rendit gjatë shembjes së 33 banesave ditën e sotme në zonën e Astirit. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Policia thotë se efektivët janë qëlluar me gurë, sende të forta dhe bomba molotov.

Pesë punonjës policie mbetën të plagosur, ndërsa një automjeti të bluve iu thyen xhamat nga gurët dhe sendet e tjera të forta, vijon njoftimi.

Nga ana tjetër, policia nuk jep asnjë shifër për numrin e banorëve të mbetën të lënduar rëndë në përleshje me efektivët dhe inspektorët e IKMT. Disa prej tyre morën kujdes mjekësor në Spitalin e Traumës në kryeyqtet, ku u shoqëruan me fraktura në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.

Njoftimi i policisë
26 të proceduar për sulmin me gurë, sende të forta dhe bomba molotov ndaj punonjësve të Policisë.

Sot, në rrugën “Teodor Keko”, në afërsi të sheshit “Shqiponja”, Tiranë, rreth orës 06:00 të mëngjesit një grup personash, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me gurë, sende të forta dhe bomba molotov punonjësit e policisë si dhe punonjësit e policisë bashkiake, të cilët ishin dislokuar në këtë rrugë për të ushtruar detyrën në lidhje me zbatimin e planit të masës për shembjen e 33 objekteve që preken nga projekti i rrugës.

Si pasojë e sulmit me gurë, sende të forta dhe bombave molotov mbetën të plagosur 5 punonjës Policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe nga Patrullat e përgjithshme. Gjithashtu, gjatë sulmit me gurë e sende të forta dhe bombave molotov, është dëmtuar 1 automjet i Policisë.

Në lidhje me ngjarjen, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 në përfundim të veprimeve hetimore, bazuar prova dhe pamje filmike të ditëve paraardhëse nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë bënë ndalimin për veprën penale “Kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë së rendit”, të shtetasit në kërkim Sh.S., 46 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u proceduan në gjëndje të lirë për veprat penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike”, dhe “Shkatërrim prone” i 25 shtetasve, nga 22 deri në 73 vjeç.

Vijon puna hetimore nga ana e strukturave të policisë në bashkëpunim e Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin e personave të tjerë përgjegjës në lidhje me këtë ngjarje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.


Etiketa: , ,