tjera

Asociacioni i komunave me shumicë serbe pritet të stopojë dialogun Kosovë-Serbi

Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel mund të bllokohet për shkak të dallimeve për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Insistimi i palës serbe që për këtë temë të diskutohet tash, e refuzimi kategorik i kryeministri Hoti po shihet si arsye se do të zvarritët procesi i dialogut. Në partitë që e përbëjnë koalicionin qeverisë thonë se Serbia po përpiqet të bëjë opstrukcione për të kushtëzuar dialogun, por që nuk do t’i ecë mbarë. Ndërsa në Lëvizjen Vetëvendosje nuk po i zënë besë deklaratave të Hotit se nuk do të hapë temën e Asociacionit në kryeqendrën evropiane.

Nënkryetari i LDK-së, Ismet Beqiri tha për KosovaPress, se kjo temë në këtë kohë nuk do të diskutohet në Bruksel, derisa zotohet se i njëjti në asnjë rrethanë nuk do të jetë me kompetenca ekzekutive dhe nëse Serbia nuk e njeh asnjëherë Kosovën.

“Në asnjë rrethanë nuk duhet të jetë një statut i asociacionit që jep kompetenca ekzekutive dhe krijon pushtetin e tretë në Kosovë. Kjo nuk mund të pranohet nga pala jonë sikur edhe mos të na njoh asnjëherë Serbia. Kjo nuk do të duhej dhe lëshime të natyrës së sovranitetit dhe integritetit të vendit ne nuk duhet të pranojmë në asnjë rrethanë edhe me çmimin se mund të stërgjatët kjo njohja e Serbisë”, tha Beqiri .

E më e ashpër kundër kësaj teme u shpreh Time Kadrijaj nga partia e Ramush Haradinajt.

“Asnjëherë nuk duhet të marrim vendime apo të pranojmë kompromise që shkelin Kushtetutën e Kosovës. Andaj unë konsideroj që çështja e Asociacionit me kompetenca ekzekutive duhet të bëhet vetëm sipas vendimit të Kushtetueses dhe asnjë mënyrë tjetër…nuk guxon të hapet e as nuk ka çka të hapet për një verdikt që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Pala kosovare në asnjë mënyrë, ju e dini që vendimet e Kushtetueses janë pranuar nga gjitha partitë politike”, tha ajo.

Shtyrjen e takimeve në Bruksel po e mirëpresin nga opozita.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë për KosovaPress, se në bazë të praktikave të kaluara, kryeministri Hoti e bënë të kundërtën e asaj çka e thotë.

“Është projekt i rrezikshëm se e bosnjëzon Kosovën, e krijon një mini-shtet brenda vendit dhe natyrisht kjo është një goditje e madhe e sovranitetit dhe integritetit të vendit. Ne jemi shumë të lumtur që takimet në Bruksel fillimisht janë shtyrë sepse jemi të bindur se pavarësisht deklaratave të Hotit që i njëjti nuk do të shtrojë në tavolinë çështjen e asociacionit ky bënë të kundërtën e asaj çka thotë”, tha Haxhiu.

KosovaPress ka provuar të marrë një qëndrim edhe të PDK-së për këtë çështje, mirëpo nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndërkaq nga shoqëria civile thonë se insistimi i palës serbe për hapjen e kësaj teme ka të bëjë vetëm me zvarritjen e dialogut.

Visar Xhambazi nga D4D thotë për KosovaPress, se barra e përgjegjësinë në rast se bllokohet dialogu bie mbi Serbinë

“Çdo tendencë e palës Serbe që të insistojë në hapjen e kësaj teme, mendoj që vetëm do ta zvarritë dialogun dhe pala Kosovare nuk ka nevojë që të kthehet dhe të diskutoj për çështje që janë arritur në vitin 2015…Për 10 vite dialog janë arritur rreth 33 marrëveshje dhe pala Serbe nuk e ka ratifikuar asnjë marrëveshje e cila është arritur në Bruksel, prandaj barra e përgjithësisë̈ bie tek pala Serbe dhe jo tek pala Kosovare”, tha ai.

Javën e kaluar dështoi takimi i radhës në Bruksel ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Fillimisht ishte e paqartë a do të mbahet për shkak të dallimeve për Asociacionin, e më pastaj si arsye u bë pandemia Covid-19