Maqedoni

ASH-AAA: Qeveria e paaftë për të siguruar vaksina kundër Covid-19

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa sot akuzoi Qeverinë, duke thënë se nuk është në gjendje të sigurojë vaksina kundër Covid-19 për qytetarët, transmeton Alsat. Sipas koalicionit, teatri me votëbesimin Qeverisë në Kuvend nuk mbulon humbjen e dhjetëra jetëve nga pandemia.

“Këto ditë, kur të gjitha vendet në rajon vazhdojnë të imunizojnë qytetarët me vaksina kundër COVID-19 dhe të cilët janë krenarë për numra specifik për vaksinimin për kokë banori, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dështon, pas të gjitha përpjekjeve, për të siguruar vaksina. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të këtij mozaiku dështimesh të shtuar në pamundësinë për të siguruar vaksinën kineze. Duket e habitshme, por vende si Mali i Zi dhe Hungaria, arritën të sigurojnë vaksinat e planifikuara nga kontingjenti i këtyre vaksinave, ndërsa qytetarët e Maqedonisë Veriore edhe një herë dëgjuan vetëm fjalë dhe premtime boshe”, thonë nga koalicioni.

Sipas tyre, kjo zgjatje e pafund e imunizimit të popullsisë, përveç që rrezikon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, zvogëlon shpresat për një hapje graduale të vendit tonë si dhe hapje të ekonomisë së brendshme.

“Edhe kur të gjitha vendet në rajon dhe BE po përfundojnë këtë proces, izolimi për vendin tonë do të vazhdojë me pasoja të papara”, thonë nga koalicioni Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët.

The post ASH-AAA: Qeveria e paaftë për të siguruar vaksina kundër Covid-19 appeared first on Alsat.