tjera

Arrestimet nga Specialja u bënë pa koordinim me Policinë e Kosovës

Plotësisht të painformuar për atë se çfarë po ndodhte brenda ishte Policia e Kosovës javën e kaluar, kur Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu dy aksione arrestimi e bastisjesh në Kosovë.

Hallkat brenda Gjykatës Speciale në Hagë, të përfshira në këtë aksion, i kanë zgjedhur policët e EULEX-it për t’u ndihmuar në bastisje, por jo edhe zyrtarët policorë të Kosovës, raporton KTV.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Operacionet e arrestimeve dhe bastisjeve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, të kryera javën e kaluar janë bërë pa asnjë koordinim me Policinë e Kosovës. Roli i vetëm i këtij institucioni ishte mbajtja e rendit, jashtë objektit ku po kryhej arrestimi e bastisja. Në lidhje me kompetencat e Policisë se Kosovës në të tilla raste, nuk kanë pranuar të prononcohen në ketë institucion. Kanë thënë se pyetjet e tilla ua kanë drejtuar edhe institucioneve kompetente por ato nuk janë përgjigjur për një çështje të tillë.

Në Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë nuk kanë dhënë detaje për këtë çështje. Zëdhënësi Christopher Bennett ka thënë se nuk japin informata për çështje operacionale e as për të punësuarit.

Ai ka cituar nenin 35 të Ligjit për Dhomat e Specializuara që përcaktojnë se Prokuroria e Specializuar do të këtë policë të veçantë në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

EULEX-i mori vetëm rol monitorues kur iu vazhdua mandati vite më parë. Megjithatë, sipas hulumtuesit të IKD-së, Yll Zekaj, ligjërisht Specialja mund të kërkojë ndihmën e tij për aksione të tilla.

Deri më tani janë tre të arrestuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Në dy aksione të ndryshme arrestimet, sipas zëdhënëses së EULEX-it, janë bërë nga policë të Speciales, por që në aspektin operacional e logjistik ishin asistuar nga policët e EULEX-it.

“Të premten Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it, e përbërë nga zyrtarë policorë polakë, dhe Policia e Kosovës i kanë ofruar ZPS-së mbështetje të përbashkët operacionale. Roli i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it ishte vetëm ofrimi i mbështetjes operacionale dhe logjistike për ZPS-në. Përveç pjesëtarëve të Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it, kjo mbështetje përfshin edhe përdorimin e veturave gjatë operacionit. Arrestimet janë bërë nga ZPS-ja e jo nga EULEX-i”, ka thënë Donika Berisha-Rizaj nga Zyra për Komunikim dhe Media në EULEX.

Megjithatë, mbështetja që ka dhënë Policia e Kosovës ka pasur të bënte vetëm me mbajtjen e rendit dhe të qetësisë jashtë objekteve ku janë kryer bastisja dhe arrestimi i kreut të OVL-së, Hysni Gucati. Sipas EULEX-it, në Kosovë aktualisht operojnë 95 zyrtarë policorë polakë në kuadër të këtij misioni.