Kult

Arkivi online/ Imazhet unike që u sekuestruan nga “Lucce”. Digjitalizohen 130 mijë foto e 12 mijë libra në arkivin e shtetit

Fatmira Nikolli – Imazhe të rralla t





Fatmira Nikolli – Imazhe të rralla të para 1945-ës, pjesë e institutit “Lucce”, disa prej të cilave nuk janë as në Itali, pasi u sekuestruan nga shteti shqiptar i kohës duke ua ndalur rrugën drejt Italisë. Fotografi unike me vetëm një klik, një arkiv pothuaj i prekshëm nga telefoni. Digjitalizohet Biblioteka dhe Fototeka e DPA-së, mbi 130 mijë fotografi dhe mbi 12 mijë tituj të aksesueshëm online për të gjithë! Ka qenë ky lajmi që u dha këtë të martë.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka prezantuar dje projektet më të reja, Bibliotekën dhe Fototekën e digjitalizuar, që përbën një fond me mijëra tituj dhe fotografi, që tani janë më afër studiuesve dhe gjithkujt tjetër. Prezantimi u krye nga drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në mjediset e Sallës së Studimit të DPA-së, duke respektuar masat kundër COVID-19.

U prezantua gjithashtu dhe faqja e re e Katalogut online, e rinovuar në aspektin grafik dhe e pasuruar me përmbajtje dhe funksionalitet. Faqja e re është më e thjeshtuar dhe lineare, duke e bërë më të lehtë lundrimin brenda bazës së të dhënave të dokumenteve.

Këto sisteme elektronike do të sjellin lehtësi maksimale për studiuesit dhe të tjerët që kanë interes për librat dhe fotografitë që ruajmë. Në fototekën online gjenden të gjitha fotografitë para vitit 1945 që ruhen në AQSH, e që tani janë vetëm një klikim larg në www.fototeka.arkiva.gov.al, ku mund të blihen fotografitë me rezolucion të lartë, pa qenë nevoja për të qenë të pranishëm në sallat e studimit të DPA-së.

“Sa i përket Bibliotekës, ajo për vite të tëra ka qenë një magazinë me libra”, tha Drejtori i Përgjithshëm, Ardit Bido, duke treguar se tashmë kjo pasuri është sistemuar dhe ka marrë formën e një biblioteke, ndërsa aplikimet për në sallën e studimit po ashtu kryhen online një ditë para.

“Mjafton që të përcaktohen ata libra që studiuesi do të shohë, në mënyrë që Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave ta kthejmë në një One-Stop-Shop albanologjik, në një vend ku studiuesi vjen, sheh librin që do, dokumentet që ka porositur, sheh dhe fotot që nuk mund t’i shohë në sallë por i sheh drejtpërdrejt nga shtëpia. Në këtë mënyrë ne besojmë se ia kemi arritur që për studiuesin shërbimi të jetë shumë i lehtë, që e çojnë arkivin në shtëpinë e studiuesit, në telefonin e tij, në kompjuterin e tij, pa qenë nevoja që ai të vijë në sallën tonë të studimit”, – u shpreh Bido.

Në prezantimin e këtyre projekteve e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se kjo është një punë kolosale që po bëhet në gjithë Shqipërinë për digjitalizimin e shërbimeve.

“Më bëhet qejfi që sot jemi në arkivin e shtetit për ta bërë këtë, sepse ka qenë simbolika e një vendi të mbyllur, e një vendi të paaksesueshëm, e një hapësire ku të gjithë ne e dimë se sa e vështirë ka qenë të gjendej një dorëshkrim apo studim, pa qasje politike. Gjatë gjithë diktaturës këto kanë qenë hapësira vërtet të ngurta, ndërsa sot arrijmë në dimension komplet tjetër. Jo vetëm që janë të hapura e studiuesit arrijnë të kenë më shumë mundësi, por mbi të gjitha dhe të rinjtë”, – u shpreh ministrja Margariti.

Ajo foli për digjitalizimet që po bën ministria në trashëgiminë kulturore dhe në atë shpirtërore. Ky sistem online, siç u tha të mërkurën, i mundëson gjithkujt që çdo gjë sa u përket Bibliotekës dhe Fototekës ta bëjë përmes sistemit online. Në fototekë të gjitha fotografitë janë të ndara sipas tematikave, ku gjenden rreth 130 mijë fotografi të para Luftës së Dytë Botërore dhe përbën fototekën më të madhe në Shqipëri, pas asaj të Marubit.

Këtu mund të gjenden edhe fotografi të institutit “Lucce”, që shteti shqiptar i sekuestroi në vitin 1945 dhe një pjesë e tyre nuk gjenden më as në Itali. Fototeka do të pasurohet edhe më shumë me fotografitë e Vani Burdës dhe Thimi Racit, të cilat janë në proces digjitalizimi. Ndërsa Biblioteka online përmban mbi 12 mijë njësi si antikuar, librin shqip e të huaj, periodik, dhe lexuesi nga sot mund të kërkojë në faqen biblioteka.arkiva.gov.al, ku pasi të përzgjidhni titullin dhe të përcaktoni datën kur do të jeni fizikisht në arkiv për ta konsultuar, botimi do të jetë gati, siç tha Bido.