Lajme

Ankesën akoma në Gjykatë, Qalaj shkon në PDK’në, me të cilën e kanë lidhur gjithmonë

Pavarësisht që është në kontest gjyqësor me Qeverinë për pozitën e drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj aderoi sot në PDK, duke u bërë kështu pjesë e politikës. Fjalët se kishte lidhje me partinë të cilës iu bashkua sot e kanë shoqëruar gjithmonë Qalajn sa drejtonte Policinë .

Më 20 janar të këtij viti pritej të mbahej seanca e radhës e Gjykatës Themelore në Prishtinës për të vendosur nëse do ta bllokojë sërish apo ajo konkursin për drejtor të Policisë së Kosovës, pas ankesës së drejtorit të shkarkuar, Rashit Qalajt.

Gjykata e Apelit i’a anuloi vendimin e parë, sipas së cilit, konkursit për drejtor të PK’së i’u vu masa e sigurisë deri në një vendim të formës së prerë.

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, që ka dorëzuar ankesë për shkarkimin e tij nëpër gjykata, sot aderoi në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Ai është prezantuar para gazetarëve në selinë e PDK’së, i shoqëruar nga kandidati për kryeministër, Enver Hoxhak.

“Unë sot jam i nderuar që do të jem anëtar i PDK-së. Në këtë parti kam pasur shume shokë miq e bashkëluftëtar. E kam pasur te vështirë të marr këtë vendim dhe ka qenë vendim edhe emocional. E gjitha që kemi bërë në Kosovë është meritë e kolegëve të mi por rrethana në vitin e fundit ndryshuan dhe nisi një degradim enorm i sistemit të sigurisë vendosa që vet të kyçëm në politikë që të jap kontributin tim”. ka thënë Qalaj në paraqitjen e parë si zyrtar i partisë

Qalaj, që i mbijetoi Albin Kurtit, u shkarkua nga Avdullah Hoti

Hoti nuk e ka pritur vendimin e dytë të Gjykatës Themelore në Prishtinë në çështjen e emërimit të drejtorit të ri të Policisë së Kosovës. Policia tash drejtohet prej Samedin Mehmetit.

Në arsyetimin e kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti, tha se Qeveria ka miratuar propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme,  Agim Veliu që Samedin Mehmeti, të jetë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, pavarësisht ankesës së Qalajt në gjykatë.

Pas aderimit të Qalajt në PDK, kanë nisur reagimet nga kundërshtarët politikë.

Zyrtari i LDK’së, Bajram Gecaj, tha se Qalaj i është bashkëngjitur “familjes natyrale politike”. Ai ka shtuar se ish ministri në detyrë, Xhelal Svecla, që vinte nga Vetëvendosje, nuk pati guxim ta shkarkonte Qalajn, e këtë e bëri kryeministri nga LDK’ja.

“Rashit Qalaj paska aderuar në PDK … i priftë e mbara në familjen e tij natyrale politike! Por çfarë me i thënë tash Xhelal Sveçles, i cili me vite të tëra e kishte gojën plot “kapje”, ndërsa nuk e pati as guximin më të vogël të “çkapjes”! Agim Veliu e kishte guximin për të shtyrë para proceset ligjore profesionale, sepse LDK nuk “çirret” si tjerët, por shtynë para shtet-ndërtimin me hapa të sigurtë!”, ka shkruar Gecaj në Facebook.

Ligjshmëria e shkarkimit të Qalajt dhe emërimi i drejtorit të ri

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se  vendimi i sotshëm i Qeverisë në detyrë është në kundërshtim me parimet bazë të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë.

“Vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me parimet bazë të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë në dy aspekte.  Në aspektin, që kjo lëndë është duke u trajtuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku ka qenë duke u trajtuar masa e sigurisë lidhur me konkursin në fjalë, ku Qeveria në mënyrë arbitrare injoron Gjykatën dhe vendimin që kjo gjykatë mund të marr”, ka thënë ai për gazetën.

Sipas Miftarajt, duke marr këtë vendim, Qeveria në detyrë ka kundërshtuar edhe projektligjet që i ka finalizuar vet.

“Në aspektin e dytë, qasja e Qeverisë Hoti është në kundërshtim edhe me vet Projekt ligjin për Qeverinë, proces ky i udhëhequr dhe finalizuar nga Qeveria Hoti në muajin gusht të vitit 2020. Në nenin 31 të Projekt Ligjit për Qeverinë, është përcaktuar se Qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara me Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe me ligjin vjetor për buxhetin, me përjashtim të aktiviteteve të listuar në këtë nen.  Neni 31 paragrafi 1.3 ka përcaktuar në mënyrë taksative se Qeveria në detyrë  “Nuk mund të inicion procedura të reja për emërimin në pozitat publike për të cilat është përgjegjëse sipas ligjeve të aplikueshme”, ky hyn edhe Drejtori i Policisë”, ka thënë më tutje ai.

Sipas tij është e pakuptimtë që me këtë Projektligj që ende nuk është miratuar në Kuvend, të shkel përgjegjësitë dhe kompetencat e qeverive në detyrë.

“Në këtë drejtim është e pakuptimtë dhe në kundërshtim më parimet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë që e njëjta Qeveri e cila ka miratuar një Projekt ligj të tillë, edhe përkundër se i njëjti ende nuk është miratuar në Kuvend dhe nuk ka fuqi juridike të shkel parimet dhe standardet e mishëruara lidhur me kompetencat dhe përgjegjësitë e qeverive në detyrë.  Një qasje e tillë është e papranueshme dhe cenon rëndë besimin e publikut në një proces të pavarur, paanshëm dhe të drejtë të përzgjedhjes dhe emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Emërimi i sotshëm në polici, sipas Miftarajt ngrit dyshime që ka prapavijë politike.

“Kur kësaj i shtohet fakti se emërimi i të njëjtit do të bëhet në ditët në vazhdim në mbledhje të qeverisë, dhe jemi në kohë fushate, ku roli i Policisë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve në aspektin e sigurisë është jetik, ngrit dyshimet se emërim ka konotacion politik. “Sikurse, është për keqardhje kur edhe mekanizma ndërkombëtarë si ambasada britanike kanë lejuar që të bien pre e këtyre lojërave politike të qeverisë dhe të marrin pjesë në monitorimin e këtij procesi duke mos respektuar mu parimet e promovuar nga kjo ambasadë në të kaluarën për sundim të ligjit, qeverisjes të mirë dhe procese të rekrutimit me integritet dhe që fitojnë besimin e publikut”, ka pohuar ai.

Në ndërkohë më 3 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinëka marr vendim me të cilin ia ka ndaluar Qeverisë së Kosovës të vazhdoj procedurat për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Një vendim të tillë, gjykata e ka marrë pasi që ka aprovuar si të bazuar propozimin për caktim të masës së sigurisë që ishte propozuar nga ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, më 24 nëntor 2020, kishte kërkuar nga gjykata që të caktojë masën e sigurisë ashtu që t’i ndalohet Qeverisë që të vazhdoj me procedurat e rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Kjo pasi sipas Qalajt, vendimi për shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit të Policisë ka qenë në kundërshtim me ligjin.

Sipas gjykatës, vendimi i nxjerrë nga Qeveria për shkarkimin e Qalajt është në kundërshtim me nenin 86 të Ligjit të Punës, përkatësisht paragrafin 3 të nenin ku thuhet se “Vendimi i punëdhënësit duhet të bëhet me shkrim duke theksuar arsyetimin dhe këshillën për mjetet juridike ndaj masave të shqiptuara”. Sipas gjykatës, Qeveria e kishte lënë Qalajn në mos dijeni lidhur me shfrytëzimin e mjeteve juridike, duke i mohuar të drejtën për ankesë .Në vazhdim të vendimit të saj, gjykata cek edhe nenin 32 të Kushtetutës e cila ia garanton të gjithëve të drejtën për mjete juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative.

Tutje, në vendimin e gjykatës thuhet se nuk mund të themelohet një marrëdhënie e re pune, përkatësisht për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Poli së Kosovës, derisa shkarkimi i Qalajt ishte bërë në kundërshtim me ligjin.

Por, ndryshe nga Themelorja, Gjykata e Apelit e anuloi këtë vendim dhe e ktheu çështjen në rivendosje.

Kjo gjykatë hodhi poshtë argumentimin e gjykatës së shkallës së parë për bllokimin e zgjedhjes së drejtorit të ri të Policisë së Kosovës, pas padisë së ish-drejtorit Rashit Qalaj.

Apeli pati gjetur mangësi në dy pika të vendimit të Themelores.

“Kundërthënia në mes arsyetimit të aktvendimit të goditur qëndron për faktin se gjykata në pjesën ku i referohet besueshmërisë së të drejtës subjektive të palës propozuese, e potencon faktin se vendimi mbi lirimin nga pozita e drejtorit janë të kundërligjshëm, pa u vërtetuar fare nga gjykata nëse vendimi është i kundërligjshëm ose jo. Gjykata e Apelit, nisur nga kjo gjendje e çështjes vlerëson së qëndrimi dhe përfundimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë dhe i ligjshëm, për shkak se aktvendimi i atakuar në ankesë është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore”, thuhet në vendimin e Apelit.

Mmegjithatë, Apeli ka hedhur poshtë kërkesën e Qeverisë së Kosovë që rasti në rivendosje t’i caktohet një gjyqtareje tjetër në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Pas këtij vendimi, Gjykata Themelore do të vendosë për të dytën herë për këtë çështje.

Në ndërkohë në Gjykatën Themelore të Prishtinës është vendosur që më 20 janar të mbahet seancë e re, ku do të vendoset për bllokimin ose jo të konkursit për drejtor të ri të Policisë.