Lajme

Anëtari i Parlamentit Evropian kërkon qasje në Non Paper-in slloven

Anëtari i Parlamentit Evropian nga Sllovenia, K

Anëtari i Parlamentit Evropian nga Sllovenia, Klemen Groselj, ka kërkuar nga Këshilli Evropian që të paraqesë Non Paper-in e kryeministrit slloven, Janez Jansha, për të cilin pati zhurmë mediatike që nga 12 prilli i këtij viti, transmeton Insajderi.

Groselj e pohon ekzistencën e këtij Non Paperi, duke thënë se po qëndron nën mbrojtjen e detyrueshme të Këshillit Evropian, e për çka ka ai vetë ka kërkuar qasje në të.

Siç raportohet në portalin ‘Slobodna-Bosna’, në paraqitjen e tij në Këshill, Groselj deklaroi se ky Non Paper provokoi reagime të dhunshme jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë dhe në botë.

“Ai mbron ndryshimin e kufijve në rajonin tonë dhe krijimin e tre shteteve kombëtare – Serbia e Madhe, Shqipëria e Madhe dhe Kroacia e Madhe”, thuhet më tej në artikull.

Në një letër drejtuar Këshillit Evropian, Groselj tha se do të respektonte normat ligjore në lidhje me dokumentin, por se ai kishte nevojë për të, meqë përmbajtja e tij mund të kishte “implikime të gjera për stabilitetin politik të Ballkanit Perëndimor dhe rrjedhimisht pasoja të rëndësishme për politikën e BE-së për të gjithë rajonin”.

“Si një përfaqësues i zgjedhur i Parlamentit Evropian dhe një anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, i cili është i përfshirë thellë në punët e Ballkanit Perëndimor në baza ditore, unë besoj se qasja ime në informacionin e përfshirë në këtë Non Paper do të ishte jashtëzakonisht e dobishme gjatë punës sime”, raportohet të ketë thënë ai.

“Prandaj, unë do të pyesja Këshillin nëse mund të më lejohet qasja në këtë Non Paper për kufijtë në Ballkanin Perëndimor, duke iu nënshtruar rregullave të rrepta të konfidencialitetit dhe me respekt të plotë për të gjitha detyrimet përkatëse ligjore”, përfundon letra e tij dërguar Këshillit Evropian.

“Politicki.ba” ishte e para që publikoi informacione mbi ekzistencën e këtij dokumenti jozyrtar, më 12 prill të këtij viti.

Atëherë u raportua se Jansha po propozonte copëtimin e Bosnje dhe Herzegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore dhe se gjithçka do të bëhej me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me ndihmën e NATO-s.

Kryeministri slloven kategorikisht i mohoi këto akuza. Mirëpo jo vetëm ai, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Gjermania, Franca madje edhe Rusia kanë hedhur poshtë pretendimet për këtë dokument jozyrtar. /Insajderi.com