Sport

Ander Herrera kundër krijimit të Super Ligës Europiane

Bota e futbollit u trondit në mënyrë të paparë

Bota e futbollit u trondit në mënyrë të paparë ditën e sotme pas zyrtarizmit të Super Ligës Europiane. 12 skuadrat që do të jenë pjesë e këtij kompeticioni që prej fillimit kanë filluar luftën e hapur me UEFA-në, e cila po i përgjigjet me të njëjtën mënyrë. Në ditët në vazhdim pritet që edhe Bayern Munchen dhe PSG-ja t’i bashkohen Super Ligës Europiane, njofton Insajderi.

Futbollisti i PSG-së, Ander Herrera ka shprehur hapur dëshirën për mos t’u bërë pjesë e kësaj lige. Sipas tij futbolli do të zhduket, nëse gjithçka bëhet për më shumë para.

“Rashë në dashuri me futbollin, me futbollin e tifozëve. Me ëndrrën që të shoh ekipin e zemrës sime të garojë kundër më të fortëve. Nëse Super Liga avancon, atëherë kjo ëndërr mbyllet”, tha fillimisht anëtari i kampionëve francez.

“Shpresat e tifozëve të ekipeve jo të mëdha, nuk do të kenë mundësinë të shohin ekipin e tyre të fitojë në fushë duke garuar në kompeticionet më të mira. Unë e dua futbollin dhe nuk mund të qëndroj i heshtur për këtë. Unë besoj te një përmirësim i Champions League, por jo që të pasurit të vjedhin atë që njerëzit krijuan”, u shpreh mesfushori spanjoll Herrera. /Insajderi.com