Shëndetësi

Analiza e nevojshme për Covid-19 ndërprehet në QKUK, s’ka furnizim

Javën e kaluar, në Klinikën e Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka filluar të kryhet analiza e D-dimerit, përmes të cilës tregohet nëse një person i infektuar me virusin Covid-19 është në rrezik për jetën. Megjithatë, për shkak të mungesës së furnizimit me reagjentë, pa u bërë një javë, kryerja e kësaj analiza është ndalur. Pacientët përsëri duhet t’i drejtohen klinikave private për ta kryer atë.

Pacientët e infektuar me virusin Covid-19, po vazhdojnë të kryejnë analizën e D-dimerit në klinikat private.

Derisa atyre u kërkohet që këtë analizë ta kryejnë një herë ose dy herë në javë, ata detyrohen që atë ta kryejnë në klinikat private.

Express ka mësuar se çmimi i kësaj analize sillet rreth 15-20 euro.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, konkretisht në Klinikën e Biokimisë, në javën e kaluar kishte filluar kryerja e kësaj analize.

Për shkak të furnizimit të limituar, nga dita e shtunë, asnjë nga pacientët nuk ka mundur ta kryej atë.

Drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, ka thënë për Gazetën Express se analiza e D-dimerit është shumë e nevojshme për personat që janë të infektuar me virusin Covid-19.

Ai ka thënë se furnizimi që i ishte bërë me reagjentë për realizimin e kësaj analize, ka qenë i limituar, andaj që katër ditë asnjë pacient nuk e ka kryer atë.

“Ne kemi filluar me kryerjen e D-dimerit javën e kaluar. Sasia e furnizimit me reagjentë ka qenë shumë e limituar, andaj për momentin nuk kemi furnizim. Kjo analizë në gjithë botën është shumë e kërkuar. Shpresoj që gjatë këtyre ditëve të vie një kontingjent i madh i testimeve”, ka thënë ai.

Veseli ka deklaruar se vetëm gjatë javës së kaluar, kishin kryer rreth 1 mijë analiza të D-dimerit.

Ai ka treguar edhe se si bëhet përzgjedhja e personave për kryerjen e kësaj analize.

“Rreth 1 mijë  analiza kemi kryer javën e kaluar. Kohën e fundit është marrë një vendim që për shkak që edhe furnizimi është i pamjaftueshëm, analiza t’i kryhet vetëm atyre që janë të shtrirë në klinikat Covid”, ka theksuar ai.

Veseli e ka konsideruar shumë të rëndësishme kryerjen e kësaj analize, pasi që sipas tij, përmes saj tregohet nëse një person është në rrezik për jetën.

Ai ka thënë se në mungesë të furnizimit me reagjentë, pacientët duhet të drejtohen në sektorin privat për ta kryer atë.

“Jemi në këtë situatë kur pacienti duhet të drejtohet në sektorin privat. Këta pacient duhet të trajtohen dhe të përcillet gjendja e tyre. Unë mendoj që një prej problematikave kryesore është se po krijohen këto mikrokuaguliume të cilat po sulmojnë organet vitale dhe po shkaktojnë më shumë shkallën e vdekshmërisë”, ka shtuar ai.

Veseli ka theksuar se  analiza e D-dimerit është e limituar në treg, andaj edhe mund të ketë vështirësi në furnizimin me të.

D-dimeri është një fragment relativisht i vogël proteine që është i pranishëm në gjak pas mpiksjeve të gjakut.

Përmes analizës së D-dimerit, vërehet nëse një person ka çrregullim të mpiksjes së gjakut, dhe nëse ai është në rrezik për jetën.