Lajme

Ambasadorja e Francës: Vendimi i KE-së, s’i mbyll dyert Shqipërisë

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak ka folur për herë të parë pas vendimit kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Ajo u shpreh nga qyteti i Elbasanit se vendimi i marrë, nuk i mbyll dyert Shqipërisë. Më tej, Vasak tha se ecuria dhe e ardhmja e Shqipërisë do të diskutohet edhe në takimin që do të mbahet në vazhdim gjatë Samitit të Zagrebit.

“Vendimi i Këshillit Evropian nuk i mbyll dyert Shqipërisë. Është vendim solemn, por jo mbyllje e dyerve definitive për Shqipërinë. Është lënë një takim në vazhdim gjatë Samitit të Zagrebit. Ky samit është i rëndësishëm sepse Kroacia merr Presidencën e Këshillit Evropian dhe të gjitha vendet e BE-së do të luajnë një rol të rëndësishëm, sepse duhet të ketë një vendim unanim.

Në këtë takim të rëndësishëm do të diskutohet për ecurinë e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj. Presidenti i Francës është shprehur qartë për mbështetjen që do t’i japë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të tjera pretendente për hapjen e negociatave”-u shpreh ambasadorja Christina Vasak.

Franca është vendosur në qendër të kritikave, përsa i përket vetos kundër për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Kritikat kanë ardhur nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si Italia, por edhe nga SHBA-ja. Kjo e fundit ka deklaruar se vendimi i Francës mund t’i hapë rrugë depërtimit të Rusisë, Kinës dhe Turqisë në Ballkanin Perëndimor.


Etiketa: , ,