Lajme

Ambasadorja Çitaku kthehet në Uashington, ngec procesi i emërimeve

Vlora Çitaku është kthyer sërish në Uashington në detyrën e saj si ambasadore e Kosovës në SHBA, pavarësisht se para më shumë se dy muajsh, presidenti Hashim Thaҫi kishte nënshkruar dekretin për tërheqjen e saj nga ky post.

Madje, ajo kishte organizuar edhe takime lamtumirëse në Uashington dhe ishte kthyer në Prishtinë, por është detyruar të kthehet sërish në Uashington, pasi partnerët e koalicionit qeveritar nuk kanë vendosur ende se kush do ta zëvendësojë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës konfirmoi për REL se në Uashington është ende në detyrë ambasadorja Çitaku, e cila do ta përfaqësojë Kosovën deri në emërimin e ambasadorit të ri, siç është përcaktuar në dekretin e tërheqjes së saj të nënshkruar nga presidenti.

Bazuar në dekretin e presidentit, ajo mbetet në këtë detyrë derisa të emërohet ambasadori i ri, por në rast se e njëjta nuk mund ta ushtrojë më këtë post, atëherë duhet të emërohet një ‘i ngarkuar me punë’ (Charge D’Affairs). Sipas të dhënave zyrtare, në Ambasadën e Kosovës në Uashington është vetëm një diplomat.

Pos Uashingtonit, edhe Brukseli, Londra e Tokio kanë mbetur qe shumë kohë me ushtrues detyre pasi Kosova nuk i ka emëruar ende ambasadorët e rinj pas skadimit të mandatit të diplomatëve të kaluar.

Në Ministrinë e Jashtme thonë se “janë në përfundim të konsultimeve për përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj” dhe se i gjithë procesi po zhvillohet konform procedurave të parapara ligjore.

“Ministrja znj. Meliza Haradinaj-Stublla garanton një proces të drejtë, transparent, në respektim të plotë të procedurave ligjore dhe kushtetuese. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, secili vendim i saj do të merret në konsultim të plotë me kryeministrin e vendit, ashtu siç e parasheh ligji dhe Kushtetuta”, tha për Radion Evropa e Lirë, këshilltari politik i ministres së Jashtme, Bul Salihu.

Sidoqoftë, Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga zyrtarë qeveritarë, se procesi ka ngecur dhe se vështirë që mund të ketë “emërime gjatë këtij viti”.

“Papërgjegjësia e qeverive”

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Gashi, vlerëson se shteti duhet të jetë më serioz në trajtimin sa më dinjitoz të shteteve mike.

“Kjo është papërgjegjësia më e madhe e Qeverisë së Kosovës, pavarësisht e cilës qeveri, që vende të tilla si Londra, Brukseli të mbahen me të ngarkuar me punë për një kohë të gjatë”, vlerëson Gashi.

Ai, madje, thotë se këto veprime po sjellin pasoja, duke iu referuar rastit të Japonisë.