Lajme

Ambasadori Rohde: Do të përkrahim bizneset që eksportojnë drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi bashkë me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde dhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare kanë vizituar kompaninë e prodhimit të aluminit në Fushë Kosovë.

Nga aty ministri Krasniqi dhe ambasadori gjerman janë deklaruar se do të përkrahin bizneset që të eksportojnë drejt Gjermanisë, por edhe vendeve të tjera.

Ministri Krasniqi është zotuar se përmes pakos së rimëkëmbjes ekonomike do t’i mbështesin bizneset të cilave iu janë krijuar probleme si shkak i pandemisë COVID-19.

“Ishim në vizitë tek një subjekt ekonomik i cili për një periudhë 5-vjeçare ka arritur jashtëzakonisht suksese të mëdha. Biznes si i cili eksporton në shtetin e Gjermanisë, kryesisht merret me prodhimin e aluminiumit do të thotë metale prej aluminit. Nga këtu ne pamë një zhvillim shumë të hovshëm të këtij biznesi. Dhe këtu së bashku me ambasadorin e Gjermanisë ne u deklaruam se edhe pse për shkak të pandemisë shumë biznese vendore por edhe në gjithë botën sigurisht janë prekur nga COVID -19 ne u zotuam që përmes pakos për rimëkëmbje ekonomike do t’i mbështesim të gjitha bizneset të cila janë atakuar bizneset”, tha Krasniqi.

Tutje Krasniqi ka vazhduar duke thënë se do të ndërmerren edhe hapa përmes të cilave do të luftojnë ekonominë jolojale që iu bëhet prodhuesve vendorë.

“Gjithashtu ne dëgjuam shqetësimet nga përfaqësuesit e këtij biznesi dhe ne sigurohemi që në një të ardhme të afërt në bashkërendim të punëve me kryeministrin dhe ministren e Financave do të marrim hapat e duhur për t’iu dalë në ndihmë dhe për të luftuar ekonominë informale apo ekonominë jolojale që iu bëhet prodhueseve vendorë nga importi i produkteve të ngjashme në vendin tonë”, u shpreh Krasniqi, raporton Kp.

E ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jogr Rohde tha se përmes vizitës së sotme dëshmojnë që janë të angazhuar që të përkrahin eksportin kompanive vendore.

Ndërkaq ka theksuar se kompanitë e vogla dhe ato të mesme janë baza e ekonomisë gjermane por edhe asaj kosovare.

“Kam kënaqësinë që sot së bashku me ministrin Krasniqi dhe me Odën Ekonomike Gjermane-Kosovar e të vizitojmë kompaninë ‘Art Aluminum’. Këtu do të kemi parasysh që kompanitë përkatësisht ndërmarrjet e vogla e të mesme janë baza e ekonomisë gjermane e po ashtu edhe baza e ekonomisë kosovare. Përmes vizitës sonë dëshmojmë dhe dëshirojmë të tregojmë që bashkë me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe në bashkëpunim me ministrinë jemi të angazhuar që të përkrahim eksportin e kompanive vendore drejt Gjermanisë por edhe drejt shteteve të tjera”, tha ambasadori gjerman.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.