Lajme

Ambasadori gjerman në Beograd nuk sheh zgjidhje pa e njohur Serbia Kosovën

Ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb, tërthorazi ka thënë se pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një intervistë për revistën serbe në gjuhën angleze “CorD”, diplomati gjerman tha se qenësore është që dy palët të arrijnë një marrëveshje ligjërisht obliguese që u mundëson të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, të ndjekin rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Por shton se do të ishte e vështirë që një zgjidhje e tillë të mund të arrihej pa e njohur Serbia Kosovën.

“Çështja kryesore është që të dy palët të arrijnë një marrëveshje ligjërisht obliguese që i mundëson Serbisë dhe Kosovës t’i ndjekin aspiratat e tyre për anëtarësim në BE dhe t’i përmbushin të drejtat dhe detyrimet e tyre si anëtare të BE. Ky është një kusht i caktuar në kornizën negociuese të nënshkruara nga Serbia dhe BE-ja. Për këtë qëllim, ajo [marrëveshja] duhet t’i ketë të gjitha atributet e përmendura më parë. Si duhet të funksionojë ndryshe? Në imagjinatën time politike, nëse mund të shtoj, do të ishte e vështirë të parashikoja një zgjidhje të tillë pa e njohur Serbia Kosovën”, theksoi ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb.