Lajme

“Alvini”/ Kuvendi konfirmon shkarkimin e Gazhelit, kush e zëvendëson

Gent Gazheli është shkarkuar nga detyr e amba

Gent Gazheli është shkarkuar nga detyr e ambasadorit të Shqipërisë në Turqi, por nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme vendimi është mbajtur i fshehtë. Është Kuvendi i Shqipërisë që konfirmon se Gazheli nuk është më në detyrë dhe ka nisur procedura në Komisionin e Politikës së Jashtme për emërimin e ambasadorit të ri.

Shkak ka qenë çështja e 11-vjeçarit shqiptar të mbetur në kampin famëkeq sirian, Al-Hol, Alvin Berisha, i cili u lirua pak ditë më parë falë ndërhyrjes së fortë të shtetit italian si dhe me suportin e organizatave ndërkombëtare. Gazheli u kritikua fort për qëndrim arrogant nga emisioni investigativ italian, “Le Iene”, të cilët edhe bënë të mundur gjetjen e Alvinit me këmbë të lënduar dhe shëndetlig, teksa mbahej në kampin e ish-mbështetësve të ISIS nga luftëtarët kurdë.

Teksa nga qeveria nuk ka asnjë njoftim zyrtar për Gazhelin, nga ana tjetër Ministria e Jashtme ka nxituar të propozojë emrin e ambasadorit të ri që do të shkojë në Turqi. Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar seancë dëgjimore ditën e nesërme, 12 nëntor, ora 10:00, në Komisionin e Politikës së Jashtme me diplomatin Kastriot Robo, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë.

Historia e dhimbshme e vogëlushit shqiptar
Para 5 vitesh nëna e Alvinit, Valbona Berisha rrëmbeu djalin dhe shkoi drejt Sirisë për t’u bashkuar me ISIS. E ëma e tij humbi jetën në një sulm ajror ndërsa Alvini mbeti i plagosur në këmbë. Ai çalon dhe sot. Ishte babai i tij, Afrim Berisha, i cili kishte pesë vite që kërkonte të birin dhe nëpërmjet emisionit “Le Iene”, e gjeti në Siri. Alvini kishte mbetur në kampet e ISIS, pasi qeveria shqiptare, nuk u angazhua asnjë moment për kthimin e të voglit në Itali pranë të atit dhe dy motrave. Alvini u lirua ditën e enjte, 7 nëntor, falë insistimit të qeverisë italiane në bashkëpunim me organizatat Gjysmë Hëna siriane dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Ndërsa të premten iu bashkua familjes së tij në Itali, babait dhe dy motrave më të mëdha.

Gazheli premtoi rikthimin e Alvinit, por i mbylli telefonin “Le Iene”
Ambasadori Gent Gazheli kishte premtuar se nuk do e linte në kampet e Sirisë vogëlushin, por në fund thjesht nuk iu përgjigj telefonatave të gazetarit italian duke mos bërë asgjë për t’i shpëtuar jetën Alvinit. Ishte pikerisht gazetari i “Le Iene” ai i cili shprehu publikisht zhgënjimin me ambasadorin Gazheli.

“Jam i zhgënjyer, ambasadori shqiptar na dha fjalën që do të zgjidhte gjithçka. Duke qenë se Alvini nuk ka letra italiane, shteti ynë nuk bën dot asgjë për të. Është në duart e qeverisë shqiptare që Alvini që ka mbetur i plagosur nga bombardimet në Siri, të kthehet në Itali pranë të atit që e ka kërkuar dëshpërimisht prej vitesh”, tha gazetari duke nxjerrë edhe videon që tregon se si Gazheli ia mbyll telefonin në fytyrë ndonëse gazetari i thotë se ai ka në dorë fatin e vogëlushit shqiptar të mbetur në mëshirë të fatit në një rajon të trazuar nga luftërat dhe terrorizmi.

LEXO EDHE: 

Arrogancë ndaj Alvinit, shkarkohet ambasadori shqiptar në Turqi, Gent Gazheli


Etiketa: , , ,