Maqedoni

“Almiri”, protesuesit me ultimatum 24 orësh!

Me këtë thirrje “Drejtësi për Almirin”, vëllai i 4 vjeçarit që u shtyp për vdekje nga Boban Iliç kërkoi drejtësi para Gjykatës së Kumanovës. Prapa tij ishin familjarë e qindra qytetarë të cilët mbështetën familjen Aliu në kërkesën që i akuzuari Iliç të dërgohet në burg ndërsa babai i Almirit dhe të afërmit e tij të lihen të lirë.

“Ne sot këtu jemi që të kërkojmë nga kjo gjykatë që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe mos të tallet me drejtësinë sepse revolta që i bëhet popullit mund të jetë shpërthim me përmasa të paparashikuara. Ne jemi të mbështetur për muri dhe nuk kemi ku të shkojmë më prandaj kërkojmë nga kjo gjykatë, drejtësi”, tha Fuat Aliu, Familjar.

Babai i Almirit, Sedat Aliu i cili është dënuar me gjashtë muaj burg tha se sistemi i drejtësisë në vend është i kalbur, ndërsa kujtoi edhe një premtim që para zgjedhjeve i kishte bërë zv.kryeministri aktual Artan Grubi.

“Desha të potencoj se ai ishte Artan Grubi, i cili na ka thirr në kabinetin e tij dhe na ka thënë se do të krijohet një komision parlamentar. Deri sot, ka gati 3 vite nuk është marr asnjë hap, duan të na nxisin apo tallen me neve duke fituar poenë politik. Ne nuk jemi me asnjë lloj partie, por e duam drejtësinë!”, pohoi Sedat Aliu, babai i Almirit.

“Unë do të shkoj në burg, do të dal prej aty, por mos të mendojnë se do të mbetet me kaq!”, theksoi Sami Demiri, i dënuar. 

Gjykata ka shqiptuar masën e burgut efektiv 6 muaj për prindin e vogëlushit Almir Aliut, Sedat Aliun. Me nga 9 muaj burg janë dënuar edhe xhaxhai i Almirit dhe kushëriri i tij. Në burg duhet të shkojë edhe Boban Iliç i cili fillimisht ishte dënuar me 6 vite burg, por me vendim të Gjykatës së Apelit, dënimi iu ul në 4 vjet.

 

Adnan Qaili

The post “Almiri”, protesuesit me ultimatum 24 orësh! appeared first on Alsat.