Lajme

Albin Kurti: Me Ramën jemi të ndryshëm, por do bashkëpunojmë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të shtunën se ai me Kryeministrin Edi Rama janë njerëz dhe politikanë të ndryshëm, por se duan të bashkëpunojnë për të mirën e dy vendeve.

Një ditë pasi u takua me Ramën, Albin Kurti mori pjesë në Samitin e Paqes për Evropën Juglindore që mbahet në Tiranë. Ai u pyet nga gazetarët për “minishengenin ballkanik”.

“Unë pres që të shoh një tekst se çfarë nënkupton ai, sepse më ngjan më shumë me ide, se sa projekt. Pra duhet të shohim projektin në letër”, deklaroi Albin Kurti.

Ndërsa për takimin me Kryeministrin shqiptar u shpreh: “Me Ramën kemi folur për çështjet dhe temat e përbashkëta. Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregullta, jemi njerëz të ndryshëm, politikanë të ndryshëm, por duhet të bashkëpunojmë që dallimi që kemi dhe mospajtimet nuk duhet të rrezikojnë bashkëpunimin tonë.

Efekti sinergjik që mund të kemi natyrisht që nuk është i shfrytëzuar sa duhet. Besoj se mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët janë shumë më të mëdha se realiteti që e gëzojnë të gjithë. Prandaj, ne duam që të krijojmë sa më shumë ura dhe Kosova dhe Shqipëria, e Shqipëria dhe Kosova t’i ndihmojnë shqiptarët që të mos jenë më të varfrit, më të papunët dhe më të nëpërkëmburit jo vetëm në Ballkan”.

Lexo edhe: Rama takim maratonë me Albin Kurtin, kryeministri: Zgjati disa orë