Maqedoni

“Akumulatorët”, Antikorrupsioni konstaton konflikt interesi

Komisioni Anti-korrupsion konstatoi konflikt interesi në rastin e heqjes së doganave për “akumulatorët”, që do të thotë se zv.kryeministri, Koço Angjushev ka marrë pjesë në seancën qeveritare kur është miratuar heqja e doganës për “akumulatorët”, duke fshehur kështu interesat private. Anti-korrupsioni fton kryeministrin, Zoran Zaev t’i kërkojë përgjegjësi Angjushevit.

 Ne e vërtetojmë gjendjen, gjendjen mbi bazë të argumenteve. Argumentët i morëm nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe nga ministritë tjera kompetente, siç është: Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave e të tjera.  Sugjerimi ynë mbështetet në argumentet që vërtetuam rreth një pjesë të punës së zv/kryeministrit. Është vendimi i kryeministrit se çfarë nënkupton ai me kërkim të përgjegjësisë- deklaroi Biljana Ivanovska, Kryetarja e Komisionit për parandalim të korrupsionit.

Në reagimin me shkrim, Angjushev thotë se punon në interes të shtetit dhe qytetarëve.

Në rastin konkret për ulje të doganës për bateri të litium-jonit për akumulatorë, konfirmoj edhe një herë se kam dorëzuar deklaratë me të cilën jam përjashtuar nga procedura dhe vendim-marrja. Nuk i di arsyet pse Anti-korrupsioni mori vendim. Kur të kem përgjigje me shkrim prej tyre, do të komentoj- tha Koço Angjushev, Zv/kryeministër.

Alsat disa herë ka ngritur çështjen e heqjes së doganës për import të baterive, respektivisht të akumulatorëve të litium-jonit. Dogana u hoq në nëntor të vitit 2017, me alibinë se këtë e kërkonte një investitor potencial nga Polonia, i cili ishte i interesuar të prodhonte autobusë elektrik dhe motoçikleta. Ndërsa Angjushev gjatë gjithë kohës ka pretenduar se nuk “ka gisht” në heqjen e doganës, pasi nuk ka qenë prezent në seancën qeveritare kur ishte propozuar një masë e këtillë.

Unë nuk kam qenë i pranishëm në mbledhjen qeveritare, dhe mendoj se pika për të cilën folët është në autoritetin e Ministrisë së Ekonomisë dhe ndoshta ata do të japin më shumë informacione mbi këtë temë- kishte thënë Koço Angjushev, (27.09.2017).

Ndërsa dy muaj më vonë Angjushev pranon se ligji i mëhershëm i cili parashikonte 15 për qind doganë kishte qenë i gabuar.

Ato janë akumulatorë nga litium- joni që shërbejnë për shembull në makinat Teslla edhe ato të importohen me dogana të njëjta si në BE. Sepse ne me gabim në Ligjin tonë kemi vendosur doganë prej 15% dhe me këtë prodhimtaria nuk mund të jetë më konkurruese. Ne duam që ta barazojmë, të jetë konkurruese, njëjtë si ajo evropiane- kishte thënë Koço Angjushev, (22.11.2017).

E vetmja kompani që importoi bateri të litium-jonit për t’i instaluar ato në automjete elektrike, mbetet kompania nga Velesi, “Brako”, ku zv/kryeministri, Angjushev ka kapital pronësie. Vetëm për një muaj që nga heqja e doganës që ishte 15%, shteti ka humbur mbi 26 mijë e 234 euro. Para këto që në vend të arkës shtetërore, përfunduan në arkë të Brako-s. Ndërkohë Anti-korrupsioni nuk sheh konflikt-interesi në rastin “Topolki” dhe se Angjushev nuk ka ushtruar ndikim gjatë blerjes së drejtpërdrejtë të parcelës për ndërtimin e hidrocentralit të vogël në fshatin Drenovë. Komisioni Anti-korrupsion gjithashtu e mbylli edhe rastin e kreut të VMRO-se Hristijan Mickoski për hidrocentralet e vogla dhe konstatoi se nuk ka konflikt-interesi pasi në atë kohë nuk ka qenë bartës i asnjë funksioni.

Anesa Salihu

Loading…