tjera

Aktakuzat dhe arrestimet e para, Dick Marty s’flet për punën e Gjykatës Speciale

Pas pesë vjetësh punë, Gjykata Speciale tashmë po merret me aktakuzat e para kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Salih Mustafa është personi i parë që është arrestuar nga Specialja, derisa ndaj tij rëndojnë vepra të ndryshme penale.

Megjithatë, në njoftimin për aktakuzën ndaj Mustafës nuk përmendet asnjë prej pretendimeve të senatorit zviceran, Dick Marty, për trafikim organesh apo rreth “Shtëpisë së Verdhë”, mbi bazën e të cilave edhe ishte iniciuar themelimi i Gjykatës Speciale.

“Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të lëshuar më 24 shtator.

Edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në emisionin Pressing të T7, teksa ka folur rreth intervistimit të tij 4-ditor në Hagë, ka deklaruar se nuk është pyetur fare rreth trafikimit të organeve e as rreth “Shtëpisë së Verdhë”, pavarësisht se emri i tij përmendet dhjetëra herë në raportin e Dick Martyt.

Lidhur me punën e deritanishme të Speciales dhe orientimin e hetimeve të Prokurorisë së Hagës, Gazeta Express ka kërkuar një koment nga vetë autori i raportit për trafik organesh, Dick Marty.

Megjithatë, nga zyra e Martyt kanë thënë se momentalisht senatori zviceran nuk është duke dhënë qëndrime apo intervista lidhur me Gjykatën Speciale.

“Z.Marty më kërkoi që t’ua bëj me dije që ai aktualisht nuk është duke thënë qëndrime apo përgjigje për intervista për këtë temë”, ka thënë për Express sekretarja e Martyt, Francesca Mchauru.

Përveç Sali Mustafës, para gjykatës në Hagë ka dalë edhe Nasim Haradinaj, ndërkohë nesër pritet paraqitja e parë e kreut të OVL UÇK-së, Hysni Gucati.

Mbi Haradinajn rëndojnë akuzat për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje e shkelje të fshehtësisë së procedurave.