Lajme

Ahmeti tregon si do të bëhen pagesat për parkingje, do t’u bllokohen veturat atyre që nuk paguajnë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se stafi i ndërmarrjes “Prishtina Parking” është në proces të përfundimit të trajnimit për të filluar punën në terren nga java e ardhshme.

Ahmeti ka shkruar se janë 20 kontrollerë, të cilët do të kontrollojnë parkingjet publike me pagesë.

Ai ka treguar edhe mënyrat se si mund të kryhen pagesat për parkingjet dhe kohëzgjatjen maksimale për parkim në një lokacion të caktuar.

Ndërkohë, kreu i Prishtinës ka bërë të ditur se mospagesa e tarifës rezulton me bllokim të veturës dhe dënim prej 25 eurove për shërbimet e merimangës.

“Rrugët “Fehmi Agani” dhe “Rexhep Luci” janë dy rrugët e para ku do të fillojë implementimi i vendparkingjeve publike me pagesë, për të u zgjeruar gradualisht në të gjithë qytetin. Këto parkingje do të kenë disa mundësi të pagesës, me aplikacion, SMS (Vala dhe Ipko), biletë dhe pajisje. Kohëzgjatja maksimale për parkim për qytetarët jorezident të këtyre lagjeve është 2 orë dhe pagesa kalkulohet me minutat e kohëzgjatjes së parkimit. Banorët rezident të lagjeve kanë përparësi, mund të parkohen për 24 orë dhe kanë pagesa mujore. Mospagesa e tarifës rezulton me bllokim të veturës, dënimin prej 25 EUR dhe shpenzimet e merimangës”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka deklaruar se përmes këtij projekti qytetarët do të kenë informata në kohë reale cilat parkingje janë të lira.

“Ky projekt do të ndihmojë menaxhimin më efikas të parkingjeve publike dhe kohës së qytetarëve sepse përmes aplikacionit do të keni informata në kohë reale se cilat vendparkingje janë të lira për shfrytëzim në zonën ku jeni”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

This image has an empty alt attribute; its file name is 127276268_3527458370657318_4552072327682010222_o-600x360.jpg