Lajme

Agjenda e Lajçakut: Sot takon Hotin e Osmanin, nesër Thaçin dhe Kurtin

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës dyditore në Kosovë pritet të takojë të gjithë përfaqësuesit politikë.

Diplomati sllovak sot do të zhvillojë takim me kryeministrin Avdullah Hoti dhe kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Zëdhënësja për media e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dinka Zhivalj, konfirmoi për Express se sot Lajçak do të takojë Hotin dhe Osmanin dhe Organizatat e Shoqërisë Civile.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, sot do të takohet me kryeministrin Avdullah Hoti, në orën 16:30, pastaj me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, në orën 17:30 dhe në 18:30 Organizatat e Shoqërisë Civile”, tha ajo.

Tutje Emisari Lajçak nesër në agjendë ka takime me presidentin Thaçi, kryetarin e VV-së Kurti dhe krerët e partive tjera.

“Nesër Lajçak do të takohet me presidentin Hashim Thaçi, në orën 09:35, kurse pas një ore do ta takojë kreun e VV-së, Albin Kurti, përkatësisht në orën 10:40. Pas Kurtit diplomati sllovak pritet ta takojë kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, në orën 11:40, pastaj kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, në orën 13:45. Takimet do t’i vazhdojë në orën 15:40 me Peshkopin e Ipeshkvisë së Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, më pas do ta takojë kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, në orën 16:20, ndërkaq në orën 17:00 kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli. Pas Pacollit, Lajçak do ta takojë kreun e Listës Serbe, Goran Rakiç, në orën 17:40. Ndërkaq, në orën 18:20 ai do t’i takojë përfaqësuesit e minoriteteve joserbe, për të përfunduar agjendën e ditës së mërkurë me një takim me deputetin e PDK-së, Enver Hoxhaj, në orën 19:00. Kurse për agjendën e ditës së enjte do të informoheni më vonë”, ka thënë Zhivalj për Gazetën Express.

Miroslav Lajçak pas vizitës dyditore në Kosovë do ta vizitojë edhe Serbinë.

Tema kryesore të cilën pritet ta trajtojë Lajçak gjatë vizitës së tij është Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, e cila edhe ka bllokuar bisedimet mes dy shteteve.

Përderisa pala kosovare ka refuzuar të negociohet për Asociacioni, pala serbe insiston që ai të themelohet.

Gjatë ditës, Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express ka deklaruar se Asociacioni nuk do të rinegociohet.

“Kosova i mbetet besnike parimit se për temat për të cilat është arritur marrëveshje, e të cilat kanë marrë mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke u shndërruar në obligim ligjor dhe detyrim ndërkombëtar, nuk mund të rinegociohen apo ndërhyhet në to”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.