Kosovë

AAK-ja kërkon nga Kurti ta anulojë menjëherë vendimin për uljen e shtesave të pensioneve

Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës përmes një konference për media ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të anulohet vendimi për uljen e pensioneve.

Nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi ka thënë se Kurti me këtë vendim goditi kategorinë më të rrezikuar në vend.

“Në bazë të premtimeve për barazi sociale, për mirëqenie sociale ka ardhur në pushtet në të kundërtën ka rrezikuar kategorinë më të ndjeshme të shoqërisë, ka segmente të tjera ku u qeveria mund të kursehet në pjesën lluksoze që e ka quajtur vet VV, por jo te kategoria që janë më të rrezikuar në shoqëri”, ka thënë Isufi.

Isufi ka thënë se ishin të mendimit që të mos bënin shumë opozitë ndaj Qeverisë Kurti në 100 ditëshin e parë, por se veprimet e tilla po i bëjnë të reagojnë.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri, ka thënë se publiku duhet alarmuar për këtë çështje dhe se kjo është arsyeja e thirrjes së konferencës së jashtëzakonshme.

“Shfuqizimi i vendimit i cili e sanksionon kategorinë më të rrezikuar duhet të ndodhë sot në mënyrë që t’u kthehet kjo ndihmë simbolike, bile edhe të rritet kjo”.

Përmes një postimi, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se sipas vendimit të Qeverisë së kaluar shtesat për pensionet bazike kanë qenë vetëm për tre muaj janar, shkurt dhe mars.