Kosovë

A votoi dikush kundër dhe a kishte kundërkandidatë Hoti? Tregon Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka prezantuar Avdullah Hotin si kandidat të LDK-së për kryeministër, teksa në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin, ka treguar edhe pak prapaskena deri te marrja e këtij vendimi.

Mustafa tha se ka pasur diskutime të hapura në Kryesinë e LDK-së se kush duhet të jetë kandidati, ndërsa ka shtuar se për të njëjtën çështje folur edhe me disa zyrtarë tjerë të partisë, që përfolej se mund të jenë kandidatë. Ai ka thënë se të gjithë ata u pajtuan që Hoti të jetë kandidat për kryeministër dhe se të gjithë anëtarët e kryesisë votuan pro.

Në kryesi kanë qenë të gjithë pro. Ka pasur diskutime shumë të hapura sot, por e kanë përkrah të gjithë. Asnjëri nuk ka kundërshtuar që Z. Hoti të jetë kandidati ynë për kryeministër. Kandidatë tjerë nuk janë propozuar sot në kryesi, ndërkaq për të qenë i hapur për ju, unë kam biseduar me njerëz për të cilët kanë pasë opinione të ndryshme që edhe ata do të ishin dhe i kam pyetur. Mirëpo të gjithë kanë vlerësuar që ne e kemi mandatin e qeverisjes, ne e kemi kryeministrin i cili i ka konsumuar vetëm 6 muaj si kryeministër i vendit dhe nuk kemi vlerësuar në asnjë rast si LDK që ne duhet të bëjmë ndryshime dhe duhet të shkojmë me mandatar tjetër, por e kemi besimin e plotë që ai të vazhdojë këtë pozitë edhe në zgjedhje, meqenënëse ato zgjedhje u bënë me një vendim – mos ta vlerësoj unë – të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Mustafa.

Paraprakisht, Mustafa ka thënë se Qeveria s’ka rënë për shkak të mospunës dhe se Hoti ka punuar drejt.

Vlerësimet tona janë se Qeveria s’ka rënë si pasojë e mospunës. Gjithë kjo ka ndodhë jashtë fajit të Qeverisë. Z. Hoti ka punuar drejt, ka treguar drejt, se edhe vetë e edhe Qeveria zbaton ligje”, ka thënë Mustafa.

“Kjo na ka shty që edhe të jetë kandidat i yni për kryeministër”, ka shtuar ai.