Lajme

A u përjashtua nga AAK-ja? Flet Albena Reshitaj

Për shkak të pjesëmarrjes së saj në seancën e Kuvendit që po votohet për Vjosa Osmanin për presidente, mbrëmë dhe sot, u tha se Albena Reshitaj është përjashtuar nga partia e saj AAK-ja.

E pyetur në rast se Reshitaj është përjashtuar nga AAK-ja pasi doli kundër qëndrimit të partisë për të mos marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, ajo tha se nuk ka informacione.

Për këtë situatë ajo ka cituar statusin e partisë së saj që nëse ndodh një gjë e tillë duhet të mbidhet kryesia dhe të vcotohet pro ose kundër përjashtimit nga kryesia e partisë.

“Unë nuk kam ndonjë informacion nëse një mbledhje e tillë në kryesinë e partisë ka ndodh kaq shpejt dhe nëse është votuar përjashtimi. Nëse ndodh një gjë e tillë do duhet të ndodhte nëpër këto procedura”, ka deklaruar Reshitaj.

Ndryshe, deputetja nga radhët e AAK’së, Time Kadrijaj ka kërkuar nga bashkëpartiakja e saj, Albena Reshitaj, që të mos shkojë në seancën e sotme për votimin e presidentit, siç ka bërë dje.

Ajo ka kërkuar nga Reshitaj që të reflektojë dhe të mbajë qëndrimet e partisë që ajo përfaqëson.

“Prandaj po e lus publikisht, për hir të qytetarëve që e vlerësuan dhe i besuan votën që të reflektoj, dhe te veprojë sipas vendimeve dhe qëndrimeve te partisë që përfaqëson në Kuvend”, ka shkruar ajo në rrjetin e saj social Facebook.