Kosovë

A ka punuar Rron Gjinovci për Hashim Thaçin, nisin reagimet

Ish-këshilltari i presidentit, Hashim Thaçit, Adil Behramaj sot ka thënë se Rron Gjinovci ka punuar për gati dy vite për ish-presidentin.

Këto komente, Behramaj i ka bërë përmes një shkrimi në Facebook.

Megjithatë, pas shkrimit të Adil Behramaj kanë nisur reagimet.

Regjisori Kushtrim Koliqi përmes Facebook’ut e ka dhënë një sqarim për këtë çështje.

Deklarimet e Behramaj i ka quajtur Koliqi lojë të tmerrshme.

Ai ka thënë se  Rron Gjinovci ka qenë pjesë e një prej iniciativave më fisnike që është themeluar ndonjëherë në Kosovë; pra ka qenë pjesë e Ekipit Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vertetën dhe Pajtimin. 

“Pjesë e ketij grupi kam qenë edhe unë që nga fillimi, dhe kemi funksionuar si një trupë plotësisht e pavarur nga kushdo, e sidomos nga Presidenti. Perveç kapaciteteve dhe kontributit të tij shumë të vyeshëm, mund ta konfirmoj që Rroni në takim me kryesuesin e Ekipit zt. Ardian Arifaj pati ofruar angazhim pa asnjë kompensim. Pas kësaj, Presidenti ka caktuar Ekipin me nëntë anëtarë, pesë nga të cilët ishim nga shoqëria civile. Rroni ishte një nga ta. Kjo ka qenë publike dhe nuk është kurrfarë zbulimi, ja edhe foto nga një ngjarje publike e Integra-s ku Rroni ka moderuar panel ku prezent ishte edhe Hashim Thaci, në prani të të gjitha medieve”, ka shtuar ai.

“Lidhur me këtë angazhim, sipas procedurave në Presidencë për të gjithë anëtarët është caktuar një shumë e caktuar si kompensim për punën për të cilën të gjithë ne jemi krenarë. Asnjë nga ne nuk ka pasur kontratë me askë. Ky kompensim është bërë me vendim të Sekretarit të Presidencës.

Ky Ekip është themelu nga Presidenti, por iniciativa ka qenë gjithnjë e shoqërisë civile në Kosovë dhe e faktorit ndërkombëtar. Unë, Rroni dhe secili anëtarë jemi angazhu dhe vazhdojmë në mënyra të ndryshme të angazhohemi për një shoqëri që duhet të ballafaqohet me të kaluarën e vet, që do të çojë në pajtimin e qytetarëve të saj dhe paqen e qëndrueshme”, tha tutje Koliqi.

Pas publikimit të regjisorit kosovar, ka reaguar Rron Gjinovci. Ai në këtë postim ka komentuar duke thënë “Faleminderit”.