Lajme

A është Burim Ramadani arsyeja pse Hoti ia kërkoi largimin shefit të AKI-së

Gazeta mëson se kryeministri Hoti i ka kërkuar shefit të AKI-së, Kreshnik Gashi, largimin nga detyra pas rastit të hapjes së kasafortës në Presidencë.

Siç mëson Gazeta, Hoti, duke u bazuar në një dokument që i është dërguar në zyrë të tij, e ka thirrur Gashin dhe i ka kërkuar të japë dorëheqje. Dokumentin ia ka dërguar inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani, që është njeri i AAK-së, që ka mbajtur pozita politike deri vitin e kaluar.

Shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës nuk ka pranuar të japë dorëheqje, pasi nuk e ka konsideruar veten përgjegjës për rastin e hapjes së kasafortës në Presidencë, pasi Prokuroria Speciale nuk ka gjetur elemente të veprës penale në atë rast.  

Prokuroria Speciale ka nisur hetime lidhur me kasafortën dhe i ka thënë Televizionit 7 ditë më parë se “nga hetimet preliminare që janë bërë nuk janë gjetur elemente të veprës penale”.

Qeveria e Kosovës nuk ia ka treguar arsyet e kërkesës për lirimin e Gashit nga detyra, duke thënë se krejt çfarë kanë për të njoftuar, e kanë thënë në komunikatën për kërkesën për largim të shefit të inteligjencës.

Njoftimi i Hotit për largimin e Gashit përmban vetëm një fjali, pa asnjë informatë rreth arsyes se pse u kërkua largimi i tij.

Ndryshe, ditë më parë, mediat, duke u thirrur në burime, kanë raportuar se një kasafortë në Presidencë është tentuar të hapet pak orë pasi presidenti Hashim Thaçi u mor për në Hagë.

Presidenca e ka njoftuar policinë, e pastaj rasti ka kaluar në Prokurorinë Speciale të Kosovës, e cila ka konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale.

Më 25 nëntor të vitit 2019, Kreshnik Gashi ishte emëruar në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë përmes një bashkëpunimi ndërmjet atëherë kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, kur Albin Kurti po priste të bëhej kryeministër, pasi partia e tij kishte dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit.