Opinione

A duhet të jetë Anton Quni kryetar i LDK-së?!

Teksa po afrohet data e fillimit të zgjedhjeve

Teksa po afrohet data e fillimit të zgjedhjeve në LDK, tanimë ka nisur të shfaqën kandidaturat e para për kreun e partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova. Aktualisht, Anton Quni dhe Melihate Tërmkolli kanë shfaqur ambiciet për të qenë kryetar. Duket se s’do të jenë vetëm këta të dy, pasi edhe Fatmir Sejdiu ka shfaqur dëshirën, por pa treguar se a do të kandidojë, njësoj si edhe Lutfi Haziri, që ende s’ka vendosur nëse do të jetë kandidat për kryetar.

Anton Quni duket shumë i vendosur në kandidaturën e tij, edhe duke pasur parasysh se është figurë e respektuar, mund të ndodh që Antoni të jetë kryetar i LDK.

Antoni favorizohet nga dy faktorë kryesor: nuk është i korruptuar si dhe ka raporte të mira nga grupet e caktuara brenda në LDK, si dhe Vjosën. Kjo do të mund të shihet si një favor në adresë të tij, për të qenë kandidat i përshtatshëm. Megjithatë ato që e pengojnë Qunin janë: mungesa e karizmit për të tërhequr masën, pastaj edhe mosbesimin që kanë qytetarët e Kosovës për njerëz të dalë nga lufta. Edhe pse Antoni dallon si dita me natë, megjithatë ekziston një “plogështi” e simpatisë për njerëz të dalë nga lufta në krye të partive.

Realisht, ushtarakët në shumicën e rasteve nuk ia kanë dalë të jenë të suksesshëm në politikë, e kjo edhe mund të përsëritet tek z.Quni. Mendimi im është se Antoni duhet të jetë kryetar në një mandat të përkohshëm, jo katër vjeçar, derisa të konsumohen debatet me pakënaqësinë e votuesve që braktisën partinë. Megjithatë, vazhdoj të them dhe të besoj, se vetëm Vjosa Osmani mund të shërojë plagët që i shkaktuan partisë, njerëz të cilët më shumë i kanë shërbyer Hashimit, se LDK-së.

Antoni është njeri i ndershëm, gëzon simpati, mirëpo nuk është i duhuri për momentin. LDK për momentin ka nevojë për një përmbysje, të cilën Antoni nuk mund ta garantojë, ndërkohë që LDK s’ka alternativë tjetër: një rikthim të shpejtë, hekuri duhet të rrihet sa është i nxehtë, e këtë mund ta garantojë vetëm Vjosa. Tanimë që procesi po hyn në një fazë të avancuar, pritet të ketë edhe kandidatura të tjera, edhe mund të ketë befasi të ndryshme. Antoni, do të jetë kandidat serioz, nuk është fare befasi nëse zgjidhet kryetar.