Lajme

A do t’ia shtojnë ministritë Qeverisë Kurti 2 koalicionet eventuale?

Nevoja për të krijuar një koalicion me AAK-në pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit mund t’i ndryshojë matematikat Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës së Vjosa Osmanit sa i përket zotimeve për përbërjen e kabinetit qeveritar, vlerësojnë analistët. Megjithatë, në partinë e Albin Kurtit thonë se Qeveria e re nuk do të ketë më shumë ministra se që kishte pasur ajo kur kishin bashkëpunuar me Lidhjen Demokratike.

Ndarja e dikastereve qeveritare e numri i tyre ka ndryshuar gati në secilën Qeveri që është formuar pas zgjedhjeve në Kosovë. Zakonisht, marrëveshjet për ndarjen e numrin janë varur nga koalicionet paszgjedhore që janë formuar.

Sa më shumë parti që kanë qenë pjesë e koalicionit qeveritar, aq më shumë ministri kanë dalë nga marrëveshjet për formim të ekzekutivit.

Situatë e njëjtë nuk dihet nëse do të përsëritet tashmë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, derisa, ende pa u certifikuar rezultatet përfundimtare del se partia e Albin Kurtit ka marrë 47,85% të votave, pa llogaritur ato më postë dhe me kusht.

Tashmë Kurti dhe Osmani si fitues të zgjedhjeve nuk kanë folur të paktën publikisht lidhur me emrat që do t’i propozojnë në dikastere, e as për numrin e ministrive që do t’i ketë qeveria e re.

Këtë çështje nuk e kanë saktësuar Vetëvendosja e Lista Guxo as në marrëveshjen që kanë nënshkruar me 14 janar, ani pse në publik veçse po diskutohen disa emra.

Dy nga dhjetë pikat e zotimit në marrëveshjen që Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë nënshkruar para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit flasin për angazhimet në dikastere qeveritare.

Në pikën 3, Kurti dhe Osmani janë zotuar se në krye të ministrive do të emërohen persona të kualifikuar, kompetent dhe me integritet, derisa dy palët nënshkruese do të vendosin bashkërisht lidhur me emrat që do t’i udhëheqin këto dikastere.

Pika e 9-të ndërkaq në këtë marrëveshje bashkëpunimi thotë se dy grupet do të synojnë që të arrihet përfaqësim i barabartë gjinor në qeveri dhe në institucionet e tjera.

Partia që udhëhiqet nga Albin Kurti ende nuk e ka bërë të ditur kur janë pyetur nga Gazeta Express se sa ministra do t’i ketë Qeveria e re.

Nga zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje i kanë thënë Express-it se do të synojnë një kabinet të vogël qeveritar, e se numri i tyre nuk do të jetë më i madh se ai gjatë qeverisë Vetëvendosje – LDK.

Në LVV tutje thonë se secila ministri nuk do të ketë më shumë se dy zëvendësministra.

“Ne do të synojmë një kabinet të vogël qeveritar. Siç ka deklaruar edhe më herët vet kryeministri në ardhje Albin Kurti, numri i ministrive nuk do të jetë me i madh se sa i ai gjatë Qeverisë Kurti 1, kurse për çdo ministri do të ketë jo më shumë se dy zëvendësministra”, thonë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Numri i ministrive dhe ai i zëvendësministrave kishte qenë pjesë e zotimit të Kurtit por edhe i Osmanit në zgjedhjet e 2019-tës, kur të dy nga ta synonin që të fitonin postin e kryeministrit.

Edhe pse asokohe Kurti kishte folur edhe për një qeveri me 12 ministra. Vjosa Osmani si kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së dhe Albin Kurti si kandidat i Vetëvendosjes kishin nënshkruar zotimin se nëse marrin pushtetin do të formojnë qeverinë me më maksimumi 15 qeveri.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, e muaj diskutim LVV-ja dhe LDK-ja ishin darkorduar që secila palë t’i merrte nga gjashtë ministri, derisa tri ministri kishin shkuar për minoritetet.

Pa u certifikuar rezultatet përfundimtare, tash kur nuk dihet saktësisht se nga sa ulëse në Kuvend do t’i kenë secili subjekt kanë nisur veçse kërkesat për partnerët e qeverisë së ardhshme që numri i ministrive të mos jetë më i lartë se 14.

“Sipas vlerësimit tonë, është e domosdoshme që qeveria e ardhshme të ketë më pak ministri. Potencialisht mos t’i ketë më shumë se 14 ministri. Kjo vjen edhe si nevojë e koalicioneve” ka thënë për Gazetën Express, Erblin Hoxha, drejtor i Debate Center.

Ai thotë se në rast se vendoset që të jenë mbi 15 ministri, atëherë dy prej ministrive i shkojnë pakicave serbe.

“Pasi që mbi 15 ministri, dy ministri i shkojnë serbëve, e duke preferuar që LVV nuk preferon të ketë koalicion me Listën Serbe besoj që do të mundohet të mos rritet numri i përgjithshëm i ministrave. Në të njëjtën kohë, numri i vogël i ministrive nënkupton edhe një kontrollë dhe përgjegjësi më të lartë të fushave të ndryshme. Pra, sa më pak ministri, aq më lehtë të bëhen ndryshime dhe të ndërmerren masa më të targetuara”, ka thënë ai.

Hoxha vlerëson se për mënyrën e ndarjes përfundimisht do të vendoset kur të shihet a mund të ketë koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt.

“Mirëpo, kjo do të vendoset nga nevoja për koalicion. Nëse LVV detyrohet me e marrë në koalicion AAK-në, atëherë edhe numri i ministrive mund të lëvizë”, ka thënë ai.

Edhe njohësi i çështjeve politike Shkëlzen Maliqi thotë për Gazetën Express se numri i ministrive varet krejtësisht nga numrat që do të kenë subjektet në Kuvend e nga mundësia për të formuar një koalicion LVV-AAK.

“Varet prej koalicioneve dhe rrethanave, nuk i dimë ende numrat saktë, a do të jenë të detyruar apo munden edhe vetë.  Pakicat janë veçse të detyrueshme, po duhet të kemi prej KQZ-së një raport final për të parë këtë. Synimi është me pas administratën sa më të vogël, me sa ma pak kosto, edhe kur zvogëlohen ministritë duhet me i pas departamentet që i mbulojnë ministritë që nuk janë ministri në vete, fushëveprimet e tyre, po meqenëse ideja është me i zvogëlu shpenzimet e Qeverisë që me qenë ajo ma efikase po me që zakonisht kemi pas koalicione mes shumë partive, ka qenë nevoja që të bëhen më shumë ministri që kënaqin të gjithë partnerët e koalicionit”, thotë Maliqi.

Ai përmend koordinatorët nacionalë që thotë se gjithashtu kanë qenë shpikje për të “kënaqur” aspiratat e partnerëve të koalicionit.

“Edhe çështja e koordinatorëve ka qenë shpikje me i kënaq aspiratat e partnerëve të koalicionit, e tash  kemi disa ditë deri të sqarohet puna e mandatit sa i ka Vetëvendosje, edhe çështja e presidentit mundet me pas ndikim. Ndoshta edhe duhet të bëjnë një koalicion, më të afërt janë me AAK-në, ata edhe ashtu kanë shfaq interes, nëse nuk i kushtëzojnë me presidentin”, ka thënë Maliqi për Gazetën.

Qeveria në detyrë në krye me Avdullah Hotin është e përbërë nga 4 zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.