Opinione

A do t’ia kthejë Albin Kurti popullit pasurinë e vjedhur nga klani “Pronto”?

Së fundi, ministrja e Drejtësisë u shfaq duke n

Së fundi, ministrja e Drejtësisë u shfaq duke nënshkruar dokumentin bazë përmes të cilit do të mundësohet konfiskimi i pasurisë, e cila në Kosovë është ndër prodhuesit më të mëdhenj të padrejtësisë shoqërore. Duke qenë se për një kohë të gjatë është abuzuar me pasurinë e shtetit, konfiskimi i tyre nuk është i lehtë, për më tepër edhe mjaft i vështirë. Gjithsesi është hap i duhur që të iniciohet një bazë e tillë ligjore, e cila do të pasohet pastaj me hapa të tjerë deri në aktin e saj final.

Pavarësisht qëllimit të mirë, ka një pengesë të madhe që kjo gjë të realizohet, një pengesë e tillë ekziston tek sistemi i kalbur i drejtësisë. Duhet të bëhet patjetër Vetting-u tek gjykatësit, prokurorët, dhe të gjithë akterët kryesorë në sistemin e drejtësisë. Ka shumë prokurorë që nuk mund ta arsyetojnë pasurinë e tyre, si mund të mëtosh se një prokuror i tillë mund të sjell drejtësi në një rast të ngjashëm. Me një Vetting të mirëfilltë, me përfshirjen edhe të SHBA-ve në këtë proces, bëhet hapi i parë i ç’kapjes së shtetit. Pastaj mund të vazhdohet me hapa tjerë, ndër to, mbase më kryesori konfiskimi i pasurisë së paligjshme. Me inicimin e këtij dokumenti bazë për konfiskimin e pasurisë dridhen edhe këmbët e klanit “Pronto” të cilët janë zhvatësit kryesorë të shtetit, trajtimin që ata i bën shtetit duke e konsideruar si plaçkë, është mjaftueshëm bindës për të pasur dyshime të bazuara për zhvatjen e shtetit në shifra marramendëse.

Disa nga kryesorët e këtij klani janë në Hagë, disa akoma kanë ngelur këtu, e të cilët me vila të shtrenjta, vetura luksoze dhe jetë përrallore, duhet të arsyetojnë prejardhjen e pasurisë së tyre. Nuk është e mundur që me një pagë deputeti apo ministri por edhe presidenti të bëhesh milioner, është shumë e thjeshtë kjo gjë për t’u kuptuar.

Nuk pres që kjo gjë të fillojë shpejt të implementohet, por nisja është veprim i duhur e që duhet të pasohet në vazhdimësi, jo të mbetet vetëm për konsum të brendshëm. Edhe liberalizimi i vizave ndërlidhet pashmangshëm më konfiskimin e pasurisë së paligjshme, kjo do të shihet si hap i parë dhe i guximshëm i Kosovës për t’u shkëputur nga e kaluara e saj. Liberalizimi i vizave nuk ndodh për shkak të korrupsionit të lartë, të nepotizmit, kapjes së shtetit e të gjitha këto bëhen vetëm për para. Në rast të konfiskimit të pasurisë së paligjshëm dhe shitjen e tyre ne ankand dhe ato para t’u kthehen qytetarëve të vendit, ky është hap që do të shënojë fillesën e një rrugë të re, një vizioni të ri dhe një shprese të munguara gjatë.

Nëse ministrja e Drejtësisë këtë veprim e ka bërë vetëm për konsum të brendshëm, atëherë dështimi është i sigurt. Nuk është hera e parë që veprime shpesh herë të duhura dhe të guximshme kanë përfunduar vetëm për konsum të brendshëm, pa asnjë hap tutje. Të presim dhe të shohim se çfarë do të prodhojë gjithë kjo “zhurmë”, me klanin “ Pronto” që ka filluar të ndjejë se dheu nën këmbë po u shembet.