Lajme

90 milionë – Numri i amerikanëve që tashmë kanë votuar

Më shumë se 90 milionë amerikanë kanë hedhur ta

Më shumë se 90 milionë amerikanë kanë hedhur tashmë votën në zgjedhjet për Presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një numër rekord ky i mundësuar nga votimet e hershme dhe votimi me postë. Sipas një sondazhi të kryer në të 50 shtetet amerikane dhe Washington D.C., nga rrjeti CNN, Edison Research dhe Catalist, këto vota përfaqësojnë pothuajse 43% të votuesve të regjistruar në të gjithë vendin.

Madje në 14 shtete amerikane më se gjysma e votuesve të regjistruar kanë hedhur votën e tyre. Po kështu, 90 milion votat e hedhura përfaqësojnë rreth 66%—pothuajse dy të tretat—të më shumë se 136.5 milion votave të hedhura në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016-të.

Reklamo bizensin tuaj ketu

35 shtete dhe Washington D.C.-ja, kanë kapërcyer më shumë se gjysmën e numrit të votave të hedhura në 2016. Këtu përfshihen 13 nga 16 shtetet e renditura si ndër më konkurentet, si Texas, Georgia, North Carolina, Nevada, Florida, Arizona, Colorado, Wisconsin, Maine, Iowa, Michigan, Minnesota dhe Nebraska. Rreth gjysma e votave të hedhura vijnë nga ato 16 shtete të cilat do të luajnë një rol vendimtar në përcaktimin e kandidatit fitues.

Disa shtete përcaktuese për zgjedhjet kanë më shumë vota në kolegjin elektoral se të tjerët, kështu që kandidatët shpenzojnë më shumë kohë duke bërë fushatë atje. Presidenti Donald Trump dhe rivali i tij Joe Biden e kanë përqëndruar vëmendjen e tyre në ato shtete të cilat do të vendosin fatin e zgjedhjeve. Gjatë fundjavës Presidenti Trump u ndal në Pennsylvania, ndërsa Biden bëri fushatë në Michigan me ish-Presidentin Barack Obama. E diela ka qenë po kaq intesive. Z. Biden u takua me mbështetësit e tij në Philadelphia ndërsa Presidenti Trump kreu pesë tubime në pesë shtete vendimtare, Michigan, Iowa, North Carolina, Georgia dhe Florida.

Numrat e atyre që kanë votuar më herët apo me postë vijnë në një kohë kur pandemia e Covid-19 vazhdon te infektojë dhe të marrë jetë amerikanësh. Si rezultat shumë shtete vendosën të zgjasin periudhën e votimit të hershëm ose atij me postë. Në disa shtete, zgjedhësve u është dashur të përballen me rradhë të gjata dhe të presin më orë të tëra për të hedhur votat e tyre. Për momentin, sondazhet thonë se Joe Biden po prin në shtetet përcaktuese për fatin e zgjedhjeve, por gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt. Sondazhet sugjerojnë se Biden ka epërsi të madhe në Michigan, Pennsylvania dhe Wisconsin, tre shtete industriale që rivali i tij republikan i fitoi në 2016.

Sa kanë ndikuar përballjet mes dy rivalëve në verdiktin e sovranit?

Beteja e 29 shtatorit ishte tërësisht kaotike. Ishte Presidenti Trump që ndërpreu disa herë rivalin e tij Joe Biden, duke krijuar një situatë deri diku të pakontrrollueshme nga ana e moderatorit të debatit. Sondazhet e kryera menjëherë pas debatit flisnin për një natë të mirë për z. Biden.

Në një sondazh të CBS News dhe YouGov me njerëz që e ndoqën debatin në shtetet që përcaktojnë zgjedhjet, 48% thanë se z. Biden ishte fituesi, ndërsa 41% anuan në krahun e z. Trump—një ndarje kjo e ngjashme me mesataret kombëtare të sondazheve. Afro 70% e të pyeturve thanë se debati u shkaktoi mërzi. Një një tjetër sondazh të rrjetit CNN z. Biden rezultonte fitues me një diferencë të madhe. Plot 60% e të pyeturve thanë se ai ishte fitues, krahasuar me 28% që folën në favor të Presidentit Trump.

Për të shmangur kaosin e debatit të parë, në përballjen e dyte me 22 tetor, organizatorët morën disa masa shtesë. Ata vendosën të mbyllnin mikofonin e njërit prej kandidatëve, kur tjetri ishte duke iu përgjigjur pyetjes se moderatorit të debatit. Duket se masat shtesë rezultuan të suksesshme. Në debatin e dytë kandidatët u shfaqën mjaft më të qetë dhe u përqendruan në politikat e tyre dhe çështje me interes publik. Edhe pse z. Trump u shfaq shumë më në kontrroll të situatës, sondazhet flisnin për një performancë më mbresëlënëse nga ana e z. Biden.

Sondazhi i CNN-it zbuloi se 53% e shikuesve mendonin se z.Biden kishte bërë një punë më të mirë në debat, ndërsa 39% anonin nga z. Trump. Edhe pse në epërsi, z. Biden pësoi një ulje të konsiderueshme krahasuar me debatin e parë. Një sondazh i menjëhershëm i YouGov nxorri të dhëna të ngjashme, respektivisht 54% për z. Biden dhe 35% për Presidentin.

Zgjedhje nën “kthetrat” e pandemisë

Fushata zgjedhore dhe votimet e hershme po zhvillohen në një kohë që pandemia po shfaq aspektin e saj më agresiv. Numri i përgjithshëm i rasteve me Covid-19 në SHBA arriti në më shumë se 9.1 milionë, ndërsa numri i vdekjeve në më shumë se 230,000. Ekspertët e shëndetësisë kanë ngritur alarmin dhe parashikojnë që numri ditor i vdekjeve në dy javët e ardhshme mund të arrijë në 2000.

Ndërkohë që numrat e të infektuarve dhe të vdekurve rriten në të gjitha shtetet amerikane, Guvernatori Andrew Cuomo vendosi në fundjavë që të gjithë ata që mbërrijnë në shtetin e New York-ut duhet të futen në karantinë për të paktën tre ditë përpara se të kryejnë testin e koronavirusit. Ata mund të dalin nga karantina vetëm nëse testi rezulton negativ. Rregullat e reja, të cilat hyjnë në fuqi ditën e mërkurën, nuk do të zbatohen për banorët e shteteve kufitare me New York-un. Shtetet kufitare janë ato të Connecticut-it, Pennsylvania-s dhe New Jersey-it, ku jetojnë një numër i madh njerëzish që punojnë në New York. Po kështu, sipas Guvernatorit Cuomo, për banorët e New York-ut që largohen nga shteti për më pak se 24 orë do të ketë rregulla të posaçme.

Çfarë pritet të ndodhë më 3 nëntor?

Kjo ishte fundjava e fundit në dispozicion të dy kandidatëve presidencialë për të bindur ata që kanë vendosur t’u drejtohen kutive të votimit të martën e 3 nëntorit. Pjesëmarrja pritet të jetë po aq e madhe sa edhe në votimet e hershme. Në ndryshim nga zgjedhjet e tjera, ethet e amerikanëve nuk do të shuhen deri disa ditë pas zgjedhjeve. Për shkak se shumë shtete do të presin votat e dërguara me postë edhe disa ditë pas datës 3 nëntor, ka shumë pak gjasë që emri i fituesit të zgjedhjeve të mësohet mbrëmjen e së martës. Shqetësues mbetet edhe skepticizmi i vazhdueshëm i Presidentit Donald Trump karshi votimit me postë. Për shkak se ai ka hedhur dyshime të forta mbi këtë formë votimi, ekziston shqetësimi në krahun kundërshtar se Presidenti mund të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve nëse ai nuk shpallet fitues.

Kritikët e Presidentit i druhen përfshirjes së gjykatës së lartë në çështjen e shpalljes së fituesit së zgjedhjeve. Ata thonë se me miratimin e kandidaturës së Amy Coney Barret—të propozuar nga Presidenti Trump—rriten shanset për një vendim në favor të Presidentit në detyrë., nëse çështja i shkon për shqyrtim gjykatës së lartë.


Etiketa: , , , , ,