Kult

50 delegatë ndërkombëtarë në vendet e kujtesës në Shqipëri

Delegacioni i Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane (PEMC) viziton Shqipërinë në datat 3-6 nëntor 2019, në kuadër të Mbledhjes së 9-të Vjetore të Këshillit të Anëtarëve, organizuar në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC). Ky takim do t’u ofrojë mundësinë, të vizitojnë vendet të ndryshme të kujtesës në Tiranë, Shkodër dhe Lezhë. PEMC është një organizatë ndërkombëtare e themeluar në Pragë, më 14 tetor të vitit 2011 me rekomandim të Parlamentit Europian dhe Këshillit të Bashkimit Europian. Themelimi i saj u mbështet nga njëzet vende anëtare të BE. Qëllimi kryesor i Platforms është të rris ndërgjegjësimin e publikut për historinë evropiane dhe krimet e kryera nga regjimet totalitare dhe për të inkurajuar një diskutim të gjerë europian për shkaqet dhe pasojat e sundimeve totalitar, si dhe për vlerat e përbashkëta europiane, me qëllim promovimin e dinjitetit njerëzor dhe të drejtat e njeriut.





Që kur u themelua, PEMC ka organizuar konferenca dhe takime ndërkombëtare (në Bruksel, Varshavë, Pragë, Budapest, Viljandi, Estoni dhe Paris) si dhe mbledhjet vjetore të Këshillit të Anëtarëve (në Berlin, Hagë, Bruksel, Vroclav, Kiev, Vilnius dhe Bled të Sllovenisë). Gjatë takimit në Shqipëri, përveç zgjedhjeve të bordit dhe presidentit të ri të PEMC, në fokus të diskutimeve do të jetë edhe Rezoluta e re e Parlamentit Europian mbi rëndësinë e një kujtese të përbashkët europiane, e cila u votua më 19 shtator 2019, ku Parlamenti Europian sugjeron të thellohet puna në fushën e edukimit dhe ndërgjegjësimit të brezit të ri, në rishikimin e kurrikulave shkollore përmes analizës së shkaqeve dhe pasojave që sollën regjimet diktatoriale, në nderimin e viktimave dhe mbi të gjitha në transparencën mbi krimet ndaj njerëzimit kryer nga regjimet naziste, fashiste, komuniste dhe sisteme të tjera diktatoriale.