Lajme

17-vjeçari kapet me armë në shkollë, arrestohet nga policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka arrestuar një 17-vjeçar pasi që të njëjtit i është gjendur një armë zjarri në ambientet e një shkolle të mesme në Skenderaj.

Sipas policisë i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe më pas  me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Njoftimi i plotë:

Në Skenderaj sekuestrohet një armë

Skenderaj, 20 prill 2021

Në vazhdën e angazhimeve policore në fushën e ofrimit të sigurisë në shkolla, në orët e paradites së sotme zyrtarë policorë në kuadër të Stacionit Policor në Skenderaj,  brenda hapësirave të një shkolle të mesme  profesionale kanë hasur në një të dyshuar të  mitur,  tek i cili është gjetur dhe sekuestruar një armë e llojit ‘Pistoletë” dhe një karikator pa municion.

Arma e sekuestruar si provë materiale do t’i kalojë Prokurorisë për procedura të mëtejme.

Në prani të avokatit është intervistuar i dyshuari i mitur R. M., 17 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, ndërsa pas  intervistimit me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku rasti është iniciuar dhe po hetohet si vepër penale ’’Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës’’

Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar për parandalimin, identifikimin e gjësendeve të rrezikshme, përfshirë edhe armë dhe mjete tjera që nuk i përkasin procesit edukativo-arsimor në shkolla.