Lajme

14 kompani ia mësyjnë tenderit 100 mijë eurosh për renovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës

Teatri Kombëtar i Kosovës, shumë shpejt pritet t`i nënshtrohet një renovimi.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 100 mijë euro, për renovimin e institucionit më të lartë kulturor në vend.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Të hënën, ka qenë afati i fundit për aplikim në këtë tender. Zyra e Prokurimit në Ministrinë e Kulturës, kanë treguar për Gazetën Insajderi, se 14 kompani kanë ofertuar në tenderin për renovim.

“Për aktivitetin e prokurimit: Renovimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës, janë dorëzuar 14 tenderë”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre, të cilët nuk kanë dhënë detaje të tjera lidhur me ofertat e tyre. Zyrtarët e ministrisë nuk kanë treguar as kur pritet të shpallet fituesi.

“Komisioni profesional për ekzaminim dhe vlerësim të tenderit do të fillojë me vlerësim të tenderëve dhe përzgjedhje të fituesit në pajtim me afatet ligjore”, kanë thënë nga zyra e prokurimit.

Sipas një njoftimi të mëhershëm nga Ministria e Kulturës, tenderi për renovimin e objektit të TKK-së përfshinë ndërhyrjet në sistemin elektrik të objektit, ujësjellësin, përmirësim të rrjetit të kanalizimit, tualeteve dhe pastrimin e hapësirave të objektit (ndërhyrjet preventive).

Kjo gjë, për Teatrin Kombëtar të Kosovës, ka qenë shumë e nevojshme kohë më parë. Aty shumë shpesh shpërthejnë gypat e kanalizimit, teksa raportimet e mëhershme kanë treguar se shpesh edhe shfaqjet janë ndërprerë për shkak të kutërbimit në këtë institucion.

Se a do të ndikojë renovimi i këtij institucioni në punën e repertorit të TKK-së, Gazeta Insajderi, ka provuar të flasë me udhëheqësin e detyrës së drejtorit në këtë institucion, Naser Shatrolli, mirëpo ky i fundit, ka thënë se me tu shpallur emri i punë kryersit, do të diskutohen edhe detajet.

Kujtojmë se të shtunën, Ministria e Shëndetësisë, mori edhe disa masa të reja sa i përket mbrojtjes ndaj COVID-19, dhe me këto masa fituan institucionet kulturore, ku edhe Teatri Kombëtar i Kosovës, u hap për publikun.

Të hënë, do të shfaqet shfaqja muzikore “Zgjimi i pranverës” me regji të Zana Hoxha Krasniqit, e cila mori çmimin kryesor në Festivalin SKUPIFEST 2020. Shfaqja do të fillojë në orën 20:00.