Kosovë Shëndetësi

Derisa numri i pacientëve të hospitalizuar në institucionet publike shëndetësore në vend kishte shkuar në mbi 1 mijë, ditëve të fundit numri i pacientëve të shtrirë në këto institucione ka rënë. Kësisoj, gjatë ditës së sotme 808 persona janë të hospitalizuar.

Ditëve të fundit ka rënë numri i pacientëve të hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale.

Derisa para dy javësh numri i të hospitalizuarve kishte shkuar në 1 mijë e 10, sot numri i pacientëve të shtrirë në këto institucione është 808.

Nga këta 547 janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 5 janë në respiratorë, 46 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 573 me oksigjen.

Sipas raportit që Express ka siguruar nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, 298 pacientë janë të hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

239 nga ta janë pozitiv me COVID-19, 31 janë të konfirmuar negativ dhe 28 të pakonfirmuar.

3 janë në respiratorë, 12 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 210 me oksigjen.

Ndërsa, në spitalet rajonale janë të shtrirë 510 pacientë, nga të cilët 308 janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 114 janë të konfirmuar negativ dhe 88 janë të pakonfirmuar.

2 nga pacientët janë në respiratorë, 29 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 363 me oksigjen.

Në Spitalin e Prizrenit janë të shtrirë 124 pacientë, në Spitalin e Gjakovës 67 pacientë, në Spitalin e Pejës 131 pacientë, në Spitalin e Gjilanit 76 pacientë, në Spitalin e Vushtrrisë 13 pacientë, në Spitalin e Mitrovicës 34 pacientë dhe në Spitalin e Ferizajit 65 pacientë.