Lajme

​Lajçak do të takojë të gjithë liderët politikë

Miroslav Lajčák, Slovak Minister for Foreign Affairs

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të vijë sot në Kosovë.

Lajçak do të qëndrojë dy ditë në Kosovë. Kështu kanë bërë të ditur nga zyra e Bashkimit Evropian

Gjatë vizitës dy ditore, Lajçak do të takohet me të gjithë liderët politikë, komunitetin ndërkombëtar dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Në këto takime planifikohet që të diskutojnë përparimin e bërë në dialogun Kosovë-Serbi që nga rinisja e tij.

Po ashtu thuhet se do të diskutohet edhe për hapat e ardhshëm në negociatat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian (PPBE) për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, vjen për vizitë sot në Kosovë. Gjatë vizitës së tij nga 13 deri më 15 tetor, ai do të takohet me të gjithë udhëheqësit politikë, komunitetin ndërkombëtar dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. PPBE-ja planifikon të diskutojë përparimin e bërë që nga rinisja e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja në muajin korrik, si dhe hapat e ardhshëm në negociatat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Bashkimit Evropian.

Ndërsa, Lajçak do të pritet sot në takim nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti.

Vizita e diplomatit sllovak në Prishtinë vjen një ditë pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg./24-ore.info